Denada Jushi

Në muajt e fundit të 2025, Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe një nga figurat kryesore të kabinetit, u vu në shënjestër të një hetimi të profilit të lartë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Hetimi lidhej me dyshime për manipulim të procedurave të prokurimit publik në projekte madhore infrastrukturore, përfshirë tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, një projekt rrugor me vlerë rreth 140 milionë euro në jug të vendit dhe Unaza e Madhe e Tiranës.

SPAK dyshon se në këto tendera ishin favorizuar kompani të caktuara nëpërmjet shkeljes së parimit të barazisë, me përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës. Në nëntor 2025, prokurorët njoftuan zyrtarisht se Balluku ishte marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me dy kontrata publike me vlerë të përgjithshme afro 210 milionë euro.

Sipas akuzës, ajo veproi në bashkëpunim me disa nga vartësit e saj më të ngushtë, mes të cilëve Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, për të manipuluar procedurat dhe favorizuar ofertuesit fitues. Më vonë, hetimeve iu shtuan dhe dyshime për shkelje në tenderin e projektit të Unazës së Madhe në Tiranë, duke e zgjeruar akuzën kundër saj.

Pas ngritjes së akuzës penale, çështja kaloi në duart e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në fund të nëntorit 2025, GJKKO-së pranoi kërkesën e SPAK-ut për caktimin e një mase sigurie personale ndaj Ballukut: pezullimin e saj të menjëhershëm nga detyra e ministres dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit. Me këtë vendim, zëvendëskryeministrja u detyrua të largohej përkohësisht nga posti qeveritar, ndërsa iu sekuestrua edhe pasaporta për të parandaluar çdo përpjekje për t’u larguar nga vendi. Ishte hera e parë në histori që një anëtar aktiv i kabinetit qeveritar shqiptar pezullohej nga detyra me vendim gjyqësor për shkak të akuzave penale në proces.

Ky hap i paprecedent i pushtetit gjyqësor shkaktoi menjëherë reagime të forta nga ana e qeverisë. Kryeministri Edi Rama denoncoi publikisht vendimin e gjykatës së posaçme si një ndërhyrje antikushtetuese në punët e ekzekutivit. Sipas Ramës, pezullimi i një ministreje në detyrë cenonte pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe shkelte kompetencat kushtetuese të Kryeministrit për formimin dhe funksionimin e kabinetit. Ai argumentoi se vendimmarrja e një gjyqtari po pengonte ushtrimin normal të funksioneve qeveritare, duke e cilësuar këtë si një ”betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”. Nga ana tjetër, vetë znj. Balluku i hodhi poshtë akuzat dhe i cilësoi veprimet e prokurorisë dhe gjykatës si të pabaza, megjithëse deklaratat e saj publike qenë të pakta gjatë procesit hetimor.

Qëndrimi konfliktual i Kryeministrit ndaj trupës gjyqësore ngriti shqetësim në radhët e sistemit të drejtësisë. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi më 9 dhjetor 2025, me një deklaratë publike, duke dënuar retorikën e Ramës si presion ndaj gjykatave. Gjyqtarët vunë në dukje se, nën petkun e ankesës për shkelje të kompetencave, Kryeministri po dërgonte në fakt një mesazh kërcënues ndaj organeve të drejtësisë që po shqyrtonin çështjen Balluku. Deklarata theksoi se sulmet e përsëritura verbale ndaj vendimeve gjyqësore rrezikojnë të minojnë besimin e publikut tek drejtësia dhe cenojnë parimin themelor të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një demokraci.

Pavarësisht kritikave, Kryeministri nuk u tërhoq. Ai reagoi publikisht, duke këmbëngulur se nuk do të “mbyllte gojën” për këtë çështje, pasi sipas tij vetë posti i Kryeministrit, i mandatuar nga votat e qytetarëve, ishte vënë në rrezik nga vendimi i një prokurori dhe gjyqtari. Rama argumentoi se, meqenëse ishte palë paditëse në këtë proces kushtetues, ai kishte të drejtë të shprehte hapur opinionin e tij lidhur me çështjen.

Më 4 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave depozitoi zyrtarisht një ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar interpretim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave midis ekzekutivit dhe gjyqësorit. Përmbajtja e kërkesës fokusohej në pyetjen thelbësore: A mundet një gjykatë të pezullojë një ministër në detyrë (njëkohësisht deputet) pa shkelur Kushtetutën?.

Qeveria pretendoi se Kushtetuta dhe kuadri ligjor shqiptar nuk parashikojnë asnjë mekanizëm pezullimi për anëtarët e Këshillit të Ministrave. Sipas kësaj logjike, vendimi i GJKKO-së cenoi kompetencat kushtetuese të disa pushteteve njëherësh.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenca, të cilat u thirrën nga Gjykata Kushtetuese si palë të interesuara në proces, dolën hapur në mbështetje të qëndrimit të qeverisë. Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi, argumentoi se pezullimi i një ministri prek edhe rolin e Parlamentit, i cili e ka votëbesuar atë ministër në detyrë.

Ajo theksoi se deputetët gëzojnë imunitet nga ndalimi apo kufizimi i lirisë pa autorizimin e Kuvendit, dhe se pezullimi de facto i znj. Balluku nga detyra (për një periudhë të pacaktuar) cenoi këtë imunitet të garantuar nga Kushtetuta. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, nëse pezullimi do të barazohej me shkarkim, atëherë GJKKO-ja i ka marrë kompetencën Kuvendit, i cili është organi që voton dekretin e Presidentit për emërimin ose lirimin e ministrave.

Edhe përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të Republikës mbajtën të njëjtën linjë. këshilltari juridik Ilir Rusmali u shpreh se “Kushtetuta e Shqipërisë nuk njeh mekanizëm kushtetues pezullues për anëtarët e Këshillit të Ministrave”.

Ai paralajmëroi se legjitimimi i vendimit të GJKKO-së do të krijonte një precedent të rrezikshëm ku, teorikisht, gjithë ekzekutivi mund të pezullohet me kërkesë të SPAK nëse do të hetohej një çështje që përfshin qeverinë. Një situatë e tillë hipotetike, ku vendi mund të mbetej pa qeveri funksionale, u soll nga Presidenca për të ilustruar rrezikun e cenimit ekstrem të ekuilibrave kushtetues.

Pasi mori në shqyrtim kërkesën e qeverisë, Gjykata Kushtetuese veproi me shpejtësi për të shmangur pasojat e menjëhershme të konfliktit. Më 12 dhjetor 2025, kolegji i gjyqtarëve kushtetues vendosi pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së deri sa çështja të shqyrtohej në themel. Kjo do të thoshte se, përkohësisht, masa e sigurisë ”pezullim nga detyra” u bë e pazbatueshme.

Si rezultat, znj. Balluku u rikthye menjëherë në detyrën e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi i Kushtetueses erdhi si lehtësim për qeverinë, por u prit me shqetësim nga organet e drejtësisë. Prokuroria e Posaçme e konsideroi këtë ndërhyrje të Kushtetueses si cenim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe një pengesë potenciale në hetimin penal.

Menjëherë pas rikthimit të Ballukut në zyrë, SPAK ndërmori një veprim të ri për të siguruar vijimin e pandikuar të hetimeve. Brenda pak ditësh, prokurorët specialë i drejtuan Kuvendit një kërkesë zyrtare për autorizim që t’u jepej mundësia të aplikonin një masë sigurie edhe më të rëndë ndaj znj.Balluku, arrestimin e saj.

Pavarësisht se opozita, përfaqësues të shoqërisë civile dhe Komisioni Evropian, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ende nuk ka dhënë një vendim për imunitetin e Ballukut, duke e lënë pezull çështjen e autorizimit për arrest. Vetë Kryeministri, më 9 Shkurt, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste refuzoi që të vijohet me heqjen e mandatit.

Gjykata Kushtetuese “e ka fajin”!

Në vijim të përplasjes institucionale, më 6 shkurt 2026 Gjykata Kushtetuese u mblodh për të shqyrtuar dhe për të vendosur mbi kërkesën e Kryeministrit lidhur me konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe GJKKO, si dhe për interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës mbi imunitetin e ministrave. Gjykata vlerësoi njëzëri se ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen penalisht përgjegjës, por u nda në dy qëndrime lidhur me nevojën e autorizimit parlamentar për masën e pezullimit nga detyra. Për shkak të mungesës së shumicës së kërkuar, kërkesa u rrëzua. Si pasojë, u hoq masa e pezullimit e vendosur më 12 dhjetor 2025, duke i dhënë fund përkohësisht konfliktit institucional, ndërsa debati mbi balancën mes ndjekjes penale dhe funksionimit të pushtetit ekzekutiv mbeti i hapur.

Sipas juristit Ili Gërdupi, “për shkak se asnjë nga arsyetimet nuk mori shumicën e cilësuar prej 5 votash, ato nuk konsiderohen detyruese për Kuvendin dhe mazhorancën”.

Ai më tej thekson se Gjykata Kushtetuese duhet të shpallë vendimin e arsyetuar, në mënyrë që të ketë një panoramë të qartë të qasjes së secilit grupim gjyqtarësh. Sipas tij, një rregullim i procedurës në përputhje me qëndrimin e atij grupimi gjyqtarësh që e konsideronte të nevojshëm autorizimin nga Kuvendi do të rriste probabilitetin që ky ndryshim ligjor të mos kontestohej më pas në Gjykatën Kushtetuese.

Vetë Kryeministri reagoi publikisht duke bërë të ditura konkluzionet e mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist. Sipas Ramës, rivendosja e masës së pezullimit ndaj zëvendëskryeministres Balluku ka nxjerrë në pah një boshllëk serioz kushtetues dhe ligjor, i cili, sipas tij, paralizon funksione thelbësore të pushtetit ekzekutiv. Ai paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur ngërçin institucional, duke argumentuar se funksionet kushtetuese të padelegueshme nuk mund të pezullohen pa cenuar vetë institucionet.

Mbi këtë pikë Juristi Gërdupi shpjegon se “ndryshimi ligjor përmes një amendimi të Kodit të Procedurës Penale është i mundur të realizohet nga Parlamenti. Megjithatë, kryerja e tij kërkon një procedurë të posaçme, pasi bëhet fjalë për një Kod dhe jo për një ligj të zakonshëm. Për t’u miratuar, ndryshimi kërkon 84 vota, çka nënkupton unanimitet brenda deputetëve të Partisë Socialiste dhe të paktën një votë shtesë nga opozita.”

Njëkohësisht, Rama theksoi se pezullimi i shërben vetëm vijimit të hetimit nga SPAK, ndërsa qeveria, sipas tij, do të vijojë të mbështesë pa kushte pavarësinë e prokurorisë dhe të drejtën e saj për të hetuar, duke e zhvendosur përplasjen kryesisht në planin politik dhe ligjvënës.

Ndërkohë, organizatat e shoqërsië civile sërisht i kërkuan Këshillit të Mandatëve të mbidhet dhe të pranojë kërkesën e SPAK, duke theksuar se imuniteti parlamentar nuk është mburojë personale, por garanci funksionale, dhe çdo vonesë apo instrumentalizim politik cenon parimin e barazisë para ligjit dhe besimin publik te institucionet.

Duke iu referuar edhe standardeve të BE-së dhe kapitujve 23 dhe 24, organizatat theksojnë se respektimi i procedurave kushtetuese është detyrim institucional dhe kusht për forcimin e shtetit të së drejtës dhe procesit të integrimit evropian./acqj.al