Vrasja e “El Mencho”, kreut të Kartelit Jalisco Nueva Generacion, mund të çelë një fazë të re dhe të rrezikshme për Meksikën. Eliminimi i një lideri të këtij niveli është goditje e fortë për një rrjet kriminal, por historia e viteve të fundit tregon se fundi i një bosi shpesh sjell përçarje brenda grupit dhe një valë të re dhune.
Karteli i Jalisco-s konsiderohet më i militarizuari në vend. Ka arsenal të fuqishëm armësh dhe është bërë i njohur për prita të dhunshme ndaj forcave të sigurisë. Në të kaluarën ka rrëzuar edhe një helikopter. Ka përdorur dronë, sisteme neutralizimi, raketa antitank, mitraloza të rëndë dhe automjete të blinduara të modifikuara vetë.
Kur kapet apo vritet një “padrino”, reagimi është pothuajse i njëjtë: bllokime rrugësh, sulme në zona urbane, kaos i organizuar. Është taktikë e studiuar, që përsëritet sa herë të jetë nevoja. Një mesazh sfide ndaj shtetit dhe një shfaqje force për rivalët.
Sipas Reuters, në operacion ka pasur rol edhe një njësi amerikane, Joint Task Force-Counter Cartel, e specializuar në gjurmimin e fraksioneve të narkosve. Misioni i saj për këtë rast kishte nisur rreth një muaj më parë. Bashkëpunimi në fushën e inteligjencës mes SHBA dhe Meksikës nuk është i ri. Fillimisht mbështetja amerikane përqendrohej te Marina meksikane, e konsideruar më e besueshme se strukturat e tjera të prekura nga korrupsioni.
Me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, bashkëpunimi u rrit ndjeshëm. Presidenti kishte kërcënuar edhe me ndërhyrje direkte në territorin meksikan, gjë që kishte sjellë reagime të forta nga Meksika. Në muajt e fundit, avionë spiunë dhe dronë amerikanë kanë kryer misione zbulimi dhe përgjimi jashtë kufijve meksikanë, por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe inkursione brenda territorit.
Vendimtare ka qenë edhe mbështetja teknologjike për të lokalizuar objektiva që dinë të fshihen mirë dhe përdorin kundërmasa për t’i shpëtuar ndjekjes.
Tani pyetja është e hapur: a do të shpërbëhet karteli në fraksione që do të luftojnë mes tyre, apo do të dalë një lider i ri që do të mbajë të bashkuar një nga organizatat më të dhunshme të Meksikës. Në të dyja rastet, rreziku për një tjetër spirale dhune është real. /CorrieredellaSera/




















