Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Bashkia Kamëz votoi për rritjen e çmimit të biletës së urbanit nga 40 lekë në 50 lekë për banorët e një prej bashkive më të mëdha në vend. Ajo që habiti në votimin e Këshillit Bashkiak ishte edhe qëndrimi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, të cilët votuan pro rritjes.

Kjo pyetje Berishës iu përsërit edhe nga një demokrat në foltoren e disa ditëve më parë, por pyetja e tij mbeti pa përgjigje.

News24 e pyeti sërish Sali Berishën këtë të hënë nëse, pas gati tre muajsh, e ka mësuar të vërtetën për rritjen e çmimit të biletës së urbanit në Kamëz.

Bashkia Kamëz, këshilltarët e majtë dhe të djathtë, bashkuan votat për të rritur çmimin e urbanit nga 40 lekë në 50 lekë, si edhe çmimin e abonesë nga 1200 lekë në 1400 lekë.

Ky vendim u shoqërua me akuza të forta për konflikt interesi dhe çoi në nisjen e një hetimi paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në fokus janë linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë, ku operatori i vetëm i licencuar është shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK, e cila mban një pozitë dominuese në treg.

Autoriteti ka theksuar se nga vlerësimi paraprak nuk rezultojnë analiza të plota ekonomike që të justifikojnë rritjen e tarifave mbi baza reale të kostove. Hetimi përfshin periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Dyshimet për konflikt interesi janë thelluar edhe më tej, pasi propozimi për rritjen e tarifave është bërë nga Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, i cili njëkohësisht mban një post drejtues në kompaninë “Shpresa – AL”, përfituese direkte nga vendimi. Gjithashtu, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak që votuan pro rezultojnë të lidhur me kompaninë në fjalë.