Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se qeveria shqiptare po ndërton një administratë moderne dhe transparente dhe do të vazhdojë të investojë në inovacion, si një shtyllë kyçe për përmirësimin e shërbimeve publike.
Në një prononcim për mediet nga Dubai, ku po merr pjesë në “World Governments Summit”, Ibrahimaj theksoi se kjo është një nga platformat më prestigjioze globale ku qeveri dhe liderë nga e gjithë bota mblidhen për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes.
“Në qendër të çdo bisede është inovacioni digjital dhe mënyra se si inteligjenca artificiale mund të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe biznesin, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja foli edhe mbi vlerësimin e Shqipërisë me çmimin e parë “Future Fit Seal – Global Edition” për Diellën, ministren e parë të bazuar në inteligjencë artificiale.
Ibrahimaj informoi se “Diella u vlerësua si fituese sepse përfaqëson një hap të guximshëm drejt përdorimit të teknologjive të avancuara në administratën publike”.
“Ajo pasqyron vizionin e Shqipërisë për një model të ri qeverisjeje, ku inovacioni ndërton besim, teknologjia u shërben njerëzve dhe e ardhmja ndërtohet me përgjegjësi dhe qëllim të qartë”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres Ibrahimaj, “Diella dëshmon se lidershipi në inovacion nuk përcaktohet nga madhësia e vendit apo e buxhetit, por nga vizioni dhe guximi për të rishikuar modelet tradicionale të qeverisjes”.
“Përmes Diellës, Shqipëria ka vendosur standarde që po frymëzojnë ndryshime edhe përtej kufijve të saj. Ky vlerësim ndërkombëtar na motivon të ecim përpara me edhe më shumë vendosmëri drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja”, u shpreh Ibrahimaj.




















