Nga Mero Baze
Është një ilaç kundër pagjumësisë, kryesisht për moshën e tretë, që rekomandohet të përdoret vetëm dy javë, quhet “zopiclonum”. Rekomandimi është që duhet përdorur rreptësisht vetëm një herë për dy javë. Jep efekt ose jo, nuk mund ta përdorësh më. Arsyeja është se ky lloj ilaçi vepron mbi receptorët e trurit me efekt qetësues hipnotik dhe nëse përdoret përtej dy javëve, atëherë truri mësohet me të dhe humbet efekti.
Sali Berisha, si “doktor” i demokratëve, ka shpikur një recetë të re. Ka gjetur një ilaç që e ka afatin e veprimit dhjetë ditë. Gjatë këtyre dhjetë ditëve ai i hipnotizon demokratët duke u treguar se pas dhjetë ditësh ata do jenë njerëzit më të lumtur në botë, do kenë rrëzuar regjimin e Edi Ramës në Shqipëri, do jenë në pushtet dhe pastaj do fillojë edhe hakmarrja që është dhe i vetmi motiv që atë e mban në këmbë si qenie e gjallë dhe si politikan.
Këtë recetë e përdori për fundin e janarit. I drogoi demokratët duke u thënë se më në fund të janarit përmbyset pushteti, Ramaduro arrestohet nga Trump si Maduro, dhe arriti të mbledhë rreth 4 mijë vetë në Tiranë. Për fatin e tij të zi, Kryeministri ditën që ai protestonte ishte me vajzën e Presidentit Trump dhe kishte marrë ftesë po ashtu t’i bashkohej Bordit të Paqes në emër të Shqipërisë.
Pas dy ditësh nisi përsëri dozën e re të ilaçit, edhe pse efekti hipnotik i tij nuk vlen më kur përdoret më shumë se një herë. Filloi përsëri refreni: “Edi Rama do rrëzohet më 10 shkurt, janë marrë të gjitha masat, nuk ka nga ikën, e kemi rrethuar, fitorja është afër”… etj.
Në bulevard u përgjysmuan njerëzit, as 2 mijë vetë. Kishte më shumë shishe benzine se sa protestues.
Dështimi ishte shumë i rëndë.
Por kjo nuk e bind Doktorin e opozitës të heqë dorë nga receta. Tani po na shurdhon veshët prej tre ditësh që Edi Rama ikën më 20 shkurt. Duke pasur lehtësinë që ka dhe një grup idiotësh nga pas tij që e kanë të folurën si jashtëqitje të pavullnetshme, po përpiqet t’ua japë për herë të tretë ilaçin brenda muajit demokratëve të pagjumë të tij.
Po u krijon hipnozën se më 20 shkurt Edi Rama bie dhe ky do marrë pushtetin. Edi Rama në fakt më 20 shkurt është në Shtëpinë e Bardhë si kryeministër i Shqipërisë, atje ku ky është “non grata” dhe që ka harxhuar edhe nja 10 milionë euro me shpresë se ia heqin damkën.
Ngaqë ky tani ka shkelur rregullin bazë të mjekut duke ua përsëritur kurën e ilaçit që i bën të varur nga iluzioni që u krijon, ata tani janë shndërruar në pacientë të cilët nuk jetojnë dot më pa këtë gënjeshtër të përmbysjes pas dhjetë ditëve, por as pa Edi Ramën kryeministër, se pastaj nuk kanë kë të përmbysin.
Kështu që i vetmi efekt që kanë këto protesta dhjetëditore të Berishës është që në fund do kemi një grup të vogël demokratësh të varur nga kjo dozë e gënjeshtrës që Edi Rama rrëzohet pas dhjetë ditësh. Dhe kjo do vazhdojë derisa të vdesë Doktori që i ka sëmurë. Pastaj nuk është se do shërohen, por nuk i duhen kujt.




















