Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës e kanë zhvendosur para SPAK protestën kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Një zëri ata bënë thirrje për drejtësi duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje, ndërsa hedhin akuza se botuesi pranë familjes Berisha u ka grabitur pronat.

“Duam drejtësi, duam drejtësi, duam drejtësi”, thanë banorët e Rrjollit, të cilët vetëm një vit më parë për këtë çështje kishin depozituar në SPAK një kallëzim për falsifikim të dokumenteve. Por, ky kallëzim i është kaluar për moskompetencë Prokurorisë së Shkodrës, e cila sipas banorëve deri më tani nuk ka kryer asnjë veprim. Sot ata depozituan një tjetër kallëzim shtesë dhe duan që këtë çështje ta marrë në duar SPAK, pasi pretendojnë se një person me emrin Fatmir Shpellzaj përmes falsifikimit ka grabitur pronat e tyre dhe më pas ia ka shitur biznesmenit Ulaj për ndërtimin e resortit me 5 yje.

“Për të njëjtën pronë jemi dy persona, unë e kam që në vitin 1935 dhe Fatmir Shpellzaj vjen në 2019. Ne kemi shtëpia që 200 vjet dhe vjen një nga hiçi dhe thotë unë kam këtu se më ka vdekur i pari para 500 vjetëve. Rrjolli është zonë e mbrojtur. Fshatarët që jetojnë aty, u thonë s’ta legalizoj shtëpinë se e ke zonë të mbrojtur. Aty ku kishin interesin për të ndërtuar resorin luksoz e hoqën nga zona e mbrojtur. Gjyqtari që mori dënimi e merituar atje, më tha që letrat e tua janë fallso. Kurse zotëria pa letra fare i mori 1500 dynym tokë, për 1 vit i shiti, mori lekët dhe për 1 vit nisi ndërtimi”, tha një protestues.

Banorët kërkojnë që punimet të ndalen derisa drejtësia të thotë fjalën e saj për pronësisë së truallit.