Durana Tech Park organizoi sot në ambjentet e COD – Qendra për Hapje dhe Dialog workshop-in “Meet Up Durana: “Formësimi i Parkut Fizik: Kontributi i Rezidentëve” duke mbledhur së bashku rezidentët e Parkut, partnerët institucionalë, arkitektët dhe ekspertët teknikë të përfshirë në hartimin e masterplanit të zhvillimit fizik të Parkut.
Ky workshop përfaqëson një hap të rëndësishëm në tranzicionin e Durana Tech Park nga faza operacionale fillestare virtuale drejt fazës hibride të zhvillimit fizik të Parkut, duke garantuar që infrastruktura e ardhshme të reflektojë nevojat reale operative të kompanive rezidente dhe të komunitetit të inovacionit që po konsolidohet në Durana.
Diskutimi u fokusua në dimensione kyçe të funksionimit të Parkut fizik, përfshirë mobilitetin, hapësirat e punës, zonat publike, shërbimet mbështetëse dhe përvojën e përgjithshme komunitare. Kontributet e rezidentëve u identifikuan si input thelbësor për finalizimin e termave të referencës dhe për detajimin e mëtejshëm arkitektonik të masterplanit.
Ndër prioritetet e identifikuara nga komuniteti i rezidentëve përfshihen:
Zgjidhje fleksibile dhe të qëndrueshme mobiliteti (akses hekurudhor, transport publik, biçikleta, biçikleta elektrike dhe mobilitet i brendshëm);
Hapësira publike të gjelbra dhe të mbrojtura nga zhurma, përfshirë ambiente për punë në natyrë;
Infrastruktura rekreative dhe mirëqenieje (palestra, hapësira kulturore);
Zona ekspozimi për inovacionin, produktet dhe shpikjet e kompanive;
Një mjedis i sigurt, me shërbime thelbësore on-site dhe një atmosferë komunitare dinamike.
Takimi ritheksoi faktin se Parku nuk është vetem një strukturë “virtuale”, por një projekt zhvillimi territorial konkret, i konceptuar në faza të qarta – ku faza aktuale operacionale shërben për ndërtimin e ekosistemit të kompanive, partneriteteve dhe modeleve të bashkëpunimit, paralelisht me përgatitjen e fazës fizike të ndërtimit.
Në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme Florensa Haxhi, theksoj se: Qëllimi i Parkut shkon përtej çdo instrumenti fiskal apo mbështetjeje financiare: Durana Tech Park po ndërtohet si një infrastrukturë strategjike për inovacionin, teknologjinë, kërkimin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e rezidentëve dhe institucionet publike partnere.
“Durana nuk po ndërtohet thjesht si një park fizik – ajo po bashkë-krijohet nga komuniteti i saj. Ky proces konsultimi siguron që investimi publik dhe privat të përkthehet në një infrastrukturë funksionale, të përdorshme dhe të vlefshme për ekonominë reale,” u theksua gjatë takimit.
Workshop-i “Meet Up Durana” konfirmon angazhimin e Durana Tech Park për transparencë, dialog të hapur me rezidentët dhe komunikim të qartë me publikun mbi ecurinë reale të projektit dhe fazat e zhvillimit të tij.
























