Emri i Durim Bami u rikthye sot në vëmendje të opinionit publik, pas një njoftimi nga policia e shtetit se pasditen e sotme ai pritet të mbërrijë në Rinas pas ekstradimit nga Dubai.
Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Bami dyshohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Në të njëjtën kohë, sipas dosjes hetimore, edhe persona të lidhur me grupe të tjera kriminale e kishin shënjestruar vetë Bamin. Emri i Ervis Martinaj përmendet në këtë kontekst, pasi ai dyshohet se kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e Bamit, në një përplasje të ashpër mes grupeve rivale.
Dosja përfshin edhe episode të tjera të rënda. Në shkurt të vitit 2021, sipas SPAK, Durim Bami, në bashkëpunim me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën, ka planifikuar vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, ky i fundit i njohur si mik i Ervis Martinaj dhe i vrarë më pas në Tiranë.
Paralelisht me akuzat për atentate, Bami dyshohet edhe për drejtimin dhe financimin e një grupi që kultivonte kanabis në zonat e Niklës dhe Bubqit, gjatë periudhës dhjetor 2019 – korrik 2020, si dhe sërish në shtator 2020. Sipas hetimeve, ai administronte të gjithë aktivitetin kriminal, ndërsa në mbështetje kishte edhe ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, tashmë i arrestuar, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar që siguronin informacione të brendshme për të shmangur kontrollet policore.
Çështja ndaj Durim Bamit konsiderohet pjesë e një zinxhiri hetimesh që zbulojnë përplasjet mes grupeve kriminale në vend, ku atentatet e porositura, hakmarrjet dhe kultivimi i narkotikëve ndërthuren në një panoramë të gjerë të krimit të organizuar.
Hetimet do të vijojnë, ndërsa autoritetet kanë theksuar se dosja përmban prova të shumta që lidhen me organizimin, financimin dhe ekzekutimin e aktiviteteve kriminale të dyshuara./TemA




















