Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, gjatë mbledhjes së sotme ka “sqaruar” akuzat e bëra së fundmi për një përplasje me Prokurorinë e Posaçme në lidhje me vizitat monitoruese që po ndërmerren në disa institucione të drejtësisë, në kuadër të shqyrtimit të kërkesës së ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për sigurinë në gjykata dhe prokurori, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, një vit më parë.

Në Komision sot u informua se për të njohur situatën konkrete dhe për të dialogur rreth rrugëzgjidhjeve, deputetët kishin kryer vizita në 4 institucione qendrore të ekzekutivit dhe në 16 gjykata e prokurori rrethesh ku ishin njohur me problemet e infrastrukturës dhe sigurisë në to.

Gjatë mbledhjed Xhafaj deklaroi se vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar dhe se nuk ka në aspak karakter ndërhyrës.

“Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit institucional.

Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat në institucione janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, u shpreh Xhafaj.

Në përmbylle të këtij procesi Komisioni do të organizoj një tryezë dialogu ndërinstitucional dhe do të miratoj një Rezolutë me masat konkrete që duhet të marrë Kuvendi dhe Qeveria për këtë çështje, por dhe me rekomandime për vet institucionet e pavarura!