Juljan Shehu është i bindur se përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për “Play Off”-in e Botërorit, do të jetë e balancuar.

Mesfushori kuqezi ka analizuar sfidën në një intervistë për mediat polake.

“Mendoj se do të vendoset nga detajet. Është një ndeshje e vështirë, pavarësisht se Polonia ka avantazhin që luan përballë tifozëve të saj. Kombëtarja shqiptare ka luajtur 3 herë në 2 vitet e fundit me Poloninë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Polonia ka një skuadër shumë të fortë.”

I pyetur nëse pika më e fortë e kuqezinjve të Silvinjos është mesfusha, 27-vjeçari nuk mendon kështu.

“Ne nuk kemi vetëm futbollistë të mirë në mesfushë, por në të gjitha repartet. Filozofia jonë është pak a shumë si Italia, duke qenë se shumë lojtarë luajnë aty dhe Sylvinho ka punuar me Mançinin. Sa i përket rolit tim, është ndryshe në Kombëtare dhe në skuadër. Trajneri më kërkon më shumë detyra mbrojtëse.”

Në fund nuk munguan batutat mes tij dhe gazetarëve në studio, që nuk i uruan fat mesfushorit kuqezi.

“Ti mos më uro fat, por unë i uroj fat vetes time dhe Kombëtares shqiptare.”

Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet më 26 mars në Varshavë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Suedi–Ukrainë.