Rrjeti televiziv “NBC” do të transmetojë këtë të diel një pjesë të programit të prag-ndeshjes Super Bowl në NFL nga Alkatrazi, ishulli ikonik në Gjirin e San Franciskos (Kaliforni), i njohur ndryshe si “Shkëmbi”.

Mbulimi televiziv i ndeshjes, eventi më i ndjekur i vitit në Shtetet e Bashkuara, do të nisë rreth pesë orë para fishkëllimës së parë, me lidhje direkte edhe nga ky ishull historik, i cili deri në vitin 1963 shërbeu si burg për kriminelë të rrezikshëm , ndërsa sot është muze dhe atraksion turistik. Në transmetim do të marrin pjesë edhe ish-yjet e NFL-së, si Rodney Harrison, dy herë fitues i “Super Bowl”-it me Patriots, si dhe Tony Dungy, po ashtu dy herë kampion: një herë si lojtar me Pittsburgh Steelers dhe një herë si trajner i Indianapolis Colts.

Alkatraz, i cili funksionoi si burg nga viti 1934 deri më 1963, administrohet nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve të SHBA-së dhe është bërë pjesë e imagjinatës popullore për shkak të reputacionit si një burg nga i cili, thuhej, ishte e pamundur të arratiseshe. Finalja mes Seahawks dhe Patriots pritet të jetë kulmi i sezonit të NFL-së dhe një tjetër spektakël global i futbollit amerikan.