Nën presionin amerikan që rritet dita ditës, qeveria kubane ka hedhur poshtë akuzat se përbën kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se është e gatshme për dialog dhe bashkëpunim me Uashingtonin.

Ministria e Jashtme e Kuba-s publikoi të hënën një deklaratë ku bën thirrje për dialog dhe nënvizon se vendi nuk mbështet “terrorizmin”. Reagimi vjen në një moment tensionesh të shtuara, pas rrëmbimit të liderit venezuelian Nicolas Maduro muajin e kaluar, ngjarje që u lidh me politikën e presidentit amerikan Donald Trump për dominimin e Hemisferës Perëndimore.

“Populli kuban dhe populli amerikan përfitojnë nga angazhimi konstruktiv, bashkëpunimi ligjor dhe bashkëjetesa paqësore”, thuhet në deklaratën zyrtare nga Havana.

“Kuba riafirmon gatishmërinë për një dialog të respektueshëm dhe reciprok me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, të bazuar në interes të ndërsjellë dhe në të drejtën ndërkombëtare.”

Deklarata u publikua vetëm disa orë pasi Trump njoftoi se kontaktet diplomatike me Kubën janë rifilluar, duke thënë se administrata e tij po komunikon me “nivelet më të larta” të qeverisë kubane.

“Kuba ka qenë një shtet i dështuar prej shumë kohësh. Tani nuk ka më Venezuelën për ta mbajtur në këmbë”, deklaroi Trump për gazetarët.

Venezuela ishte furnizuesi kryesor i Kubës me energji, por pas rrëzimit të Maduros nga forcat amerikane, furnizimi me naftë është ndërprerë pothuajse plotësisht. SHBA-të kanë sekuestruar gjithashtu cisterna venezueliane me naftë në Karaibe, veprim që kritikët e kanë cilësuar si akt piraterie.

Kuba kishte lidhje të ngushta ekonomike dhe të sigurisë me qeverinë e Maduros, ndërsa afro 50 ushtarë kubanë humbën jetën gjatë operacionit të rrëmbimit të liderit venezuelian. Administrata Trump ka ushtruar presion edhe ndaj Meksikës për të ndalur furnizimin e Kubës me naftë, duke ngritur shqetësime për një krizë të mundshme humanitare në ishull.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës janë armiqësore që prej revolucionit komunist të vitit 1959, që solli në pushtet Fidel Castro. Në vitin 2021, gjatë mandatit të tij të parë, Trump e futi Kubën në listën e “shteteve sponsorizuese të terrorizmit”.

Së fundmi, Shtëpia e Bardhë publikoi një memorandum ku e cilëson qeverinë kubane si një “kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për SHBA-të, duke e akuzuar për bashkëpunim me “aktorë keqdashës” si Kina dhe Rusia.

Këto akuza u mohuan kategorikisht nga autoritetet kubane, të cilat theksuan se vendi nuk strehon baza të huaja ushtarake apo të inteligjencës dhe nuk mbështet organizata terroriste apo ekstremiste.

Ndërkohë, Trump ka sugjeruar se një nga kërkesat kryesore të administratës së tij lidhet me trajtimin e komunitetit kubano-amerikan në SHBA, një elektorat i rëndësishëm për republikanët në Florida. Këtë linjë të ashpër ndaj Amerikës Latine e mbështet edhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.

Tensionet janë ndjekur me shqetësim edhe nga Vatikani. Papa Leo deklaroi se është i alarmuar nga përshkallëzimi i situatës dhe u bëri thirrje palëve për dialog të sinqertë, për të shmangur dhunën dhe vuajtjet e mëtejshme të popullit kuban.