Ekipet e “Sunday League” kanë zbritur sërish në fushë kësaj here për kompeticionin “FSHF Cup”.
Në kompleksin “Football Republic, Redi Jupi” shorti ka vënë përballë njëra – tjetrës ekipet e Albamer dhe Barrikadës, një ndeshje e rëndësishme në këtë fazë të kompeticionit.
Ashtu siç edhe ishte parashikuar përballja mes dy ekipeve në fushën e lojës rezervoi një ndeshje të fortë, gjë të cilën e tregon edhe rezultati minimal.
Djemve të drejtuar nga tekniku Ardit Biba u mjaftoi një gol i Mario Gjokës në minutën e 34’ të takimit për të kaluar në fazën tjetër. Në të vërtetë aksioni i golit ishte një kryevepër e nisur nga këmbët e Arbër Mehmetllarit. Sulmuesi me numrin 9 bën gjithçka vetë teksa fillimisht rekuperon topin në mesfushë triblon dy kundërshtarë dhe avancon në krahun e majtë, goditja e tij grushtohet nga portieri por topi shkon në këmbët e Gjokës i cili me portën e boshatisur e ka tepër të lehtë të dërgojë topin në rrjetë.
Pavarësisht fitores vlen të theksohet se dy prej futbollistëve më në formë përgjatë gjithë takimit ishin mesfushori Abjel Bejzade dhe mbrojtësi Arjan Sheta.
Nga ana tjetër humbja në kampionat duket se ka zbehur disi paraqitjen e disa prej djemve të Bibës. Rivaldo Bakaj që prej zëvendësimit në ndeshjen ndaj Lumineses duket ka humbur busullën. Hezitim apo mungesë dëshire për të luajtur? Kjo mbetet për tu parë ndeshjet në vazhdim. Po ashtu për të dëshiruar ishte edhe paraqitja e Luis Kolës.
Aleks Giçi u aktivizua në fund të takimit. E pritshme kjo zgjedhje e Bibës pas paraqitjes jo të mirë të qendërmbrojtësit lushnjar ndeshjen e kaluar.
Me këtë rezultat Barrikada vazhdon rrugëtimin në “FSHF Cup” në fazën gjysmëfinale. Ekipi i teknikut Biba duket e ka seriozisht fitimin e këtij kompeticioni të cilin po e vlerëson maksimalisht njësoj si kampionatin.
Megjithatë në fund duhet theksuar se tashmë kampionati dhe kupa futen në një fazë ku luftohet fort, çdo ekip jep makimumin. Ndaj ekipit i duhet përqendrim maksimal, sidomos lojtarëve titullarë. Stërvitja dhe adresimet e problematikave nuk mungojnë nga stafi trajnues ndaj topi u kalon lojtarëve të cilët me patjetër duhet të tregojnë paraqitje të mira.
View this post on Instagram




















