Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj ka sulmuar grupin parlamentar të Partisë Demokratike pas seancës së djeshme në Kuvend, ku kreu i PD u përplas me deputetët socialistë.
Pas gjuhës së papërshtatshme që Berisha përdori në seancë, duke akuzuar socialistët se po mbrojnë “vithet e Belinda Ballukut”, erdhën disa reagime rresht nga deputetët e PS të cilët i kujtuan jo vetëm protestën e dhunshme të 10 shkurtit, por edhe vrasjet e 21 janarit.
Por, duket se Genc Gjokutaj paska ankesa për grupin e PD, të cilin e akuzon se nuk paska bërë mjaftueshëm për të mbrojtur kryetarin nga akuzat e socialistëve. Gjokutaj i shkruan Berishës përmes një postimi në Facebook, duke i thënë se grupi i PD nuk pipëtiu ndaj sulmeve të Sara Miles dhe Zegjine Çaushit.
“I nderuar Doktor! Me aq kohë sa pata sot ndoqa seancën parlamentare! Pashë edhe histerinë sulmuese të Sara Miles dhe Zegjine Çaushit ndaj Jush! Më erdhi shumë keq që Grupi Parlamentar i PD nuk pipëtiu ndaj këtyre Zonjave tek fyenin Kryetarin e tyre!
E kuptoj dhunën e Pushtetit ndaj Opozitës por nuk mund të pranoj frikën apo mosreagimin e Saj ndaj Tij qoftë edhe verbalisht! Të nderuar Deputetë të PD! Ju lutem kursejani Doktorit së paku debatin me Zegjinenë apo ju vjen zor të merreni me të?”, shkroi Genc Gjokutaj.




















