Nga Hermes Kafexhiu

Keqardhja e një Netflix-i që nuk arrin dot të shpëtojë Sali Berishën nga vetë selameti i tij.

E mbani mend takimin famëkeq të Salianjit me Aulon Kalanë dhe Ilir Alimehmetin? Paniku i Berishës nuk ishte për qeverisjen, as për Edi Ramën, por sepse po lindte një grup kundër tij. Sot, në protestën kombëtare të 10 Shkurtit, çdo veprim i tij e tregon qartë, nuk ka mendjen të protestojë, ka vetëm frikë.

Frika e tij? Se bijtë e pabindur do t’i rrëmbejnë bunkerin e mbrojtjes, të vendosur nga egot, hallet dhe paranojat e një plaku të vetmuar. Një tablo që kujton plakun Mere me tespiet e lodhura në “Njëri me top”, ku fëmijët ikin nga vallja e shtëpisë. Një komedi? Jo. Një paradoks i frikshëm, dikur lider që mban në dorë fatin e vendit, sot plak paranojak, i izoluar, që lëviz vetëm me lejen e grupeve të tjera.

Çdo fjalë, çdo hap në rrugë, është sinjal dobësie dhe paniku. Nuk ka vizion, nuk ka kauzë. Ka vetëm obsesionin për të mos pranuar realitetin, për të mos u dorëzuar para humbjeve të kaluara, për të ushqyer një mani egoiste.

10 Shkurti ishte një dokumentar i gjallë i obsesionit të tij. Berisha proteston kundër kohës, kundër historisë, kundër vetvetes. Përpjekje për të mbajtur gjallë legjendën e vet një legjendë e dobët, e lodhur, parodike, e tallur nga vetë jeta që e rrethon.

Në fund, ai që del nga kjo protestë nuk është lider, është një figurë tragjikomike: plak, paranojak, i izoluar, i paaftë për të përballuar realitetin. Bunkeri i tij nuk është më fortifikim pushteti, por një profan qesharak i egos dhe frikës. Ndërsa vallja e plakut Mere vazhdon me tespiet e lodhura, ne e kuptojmë qartë, Berisha nuk proteston për ne. Proteston vetëm për veten. Më e keqja, është më e mjerueshme se çdo shaka që mund të bënte një Netflix i përpiktë.