Nga Hamdi Jupe
Gjykata Kushtetuese dha së fundmi vendim për të mos dhënë vendim, lidhur me çështjen Balluku, të ngritur atje nga Qeveria Shqiptare. Është fjala për vendimin e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres. Ishte hera e dytë që Gjykata shtyu dhënien e tij për një “afat të pacaktuar”. Kjo gjë ka krijuar pështjellim te opinioni publik, i ndjeshëm ndaj rastit prej më shumë se një muaji. Pse Gjykata nuk shprehet për vendimin, po e lë atë të varur për një kohë të gjatë? Kaq e vështirë qënka për të të shprehet? Po përpiqem t’i gjej fillim atij “lëmshi” të ngatërruar, me aq sa të mundem.

Në këtë kuadër, mungesa e vendimit nga ana e Gjykatës mendoj është në të vërtetë një “vendim” më vete. Është si puna e Zeros në matematikë. Kur është më vete ajo nuk ka vlerë, por kur bashkohet me një numër, bën hatanë, e dhjetëfishon vlerën e numrit.

Gjykata është ndodhur para një rasti realisht të vështirë. Është i pari i tillë që ka ndodhur në drejtësinë shqiptare gjatë 36 viteve demokraci. Nuk ka ngjarë ndonjëherë më parë një gjë e tillë, edhe pse institucionet e drejtësisë tek ne kanë qenë më të brishta se sot.

Për shumë njerëz, midis të cilëve edhe autorin e këtyre radhëve, rasti i kushtetutshmërisë së pezullimit të ministrit, ishte dhe mbetet fare i thjeshtë. Mjafton të lexosh Kushtutën. Kjo pritej të konfirmohej edhe nga Gjykata. Por çfarë do të vinte pas një vendimi të tillë? Pas tij do të vinte një shuplakë e madhe nga ana e Gjykatës më të lartë të vendit ndaj SPKAK-kut dhe gjykatës që ka mbështetur pezullimin, këtyre “pjellave” jo fort të suksesshme të reformës në drejtësi, siç po vërtetohet dita – ditës në vendin tonë.

Mirëpo Gjykata Kushtetuese (jo pa të drejtë) mendon se nuk është mirë që ato organe të drejtësisë të goditen aq rënde në publik, se janë akoma në moshën e “adoleshencës” profesionale, dreqi ta hajë. Prandaj gjendet kjo rrugë e “butë” e trajtimit të çështjes, duke e lënë atë pa dhënë vendim. Urtë e butë e plot tigani. Për këtë nuk u kërkonn kush llogari.

Në fund të fundit, ç’duhet tani vendimi i Gjykatës Kushtetuse për “pezullimin”, kur vetë prokurori i SPAK –ut e ka hequr masën e “pezullimit” ndaj Ballukut? Nga gjithë kjo tollovi që ndodhi me rastin e “çështjes Balluku”, prokurorët dhe gjykatësit e morën “leksionin” që duhej të merrnin: që nuk duhet shkelur më në atë rrugë pa krye të “pezullimit” të ministrave. Kushtetuta ka hapësira të tjera për të punuar prokurorët dhe gjykatësit edhe ndaj njerëzve të veshur me imunitet.

Në këtë mënyrë, me “vendimin” e saj për mosvendim, Gjykata Kushtetuse e mbrojti “nderin e humbur” të SPAKK-ut për “çështjen Balluku”, por i dha atij edhe një mësim të mirë për të ardhmen. SPAKK-u, “i dhier por krenar”, siç thotë populli, nga kjo çështje duhet të jetë ndier përgjithësisht i kënaqur nga “zgjidhja” pa zgjidhje e Gjykatës. Përfytyrojmë për një çast sikur vendmimi të ishte “tullë”, domethënë që SPAKK ka shkelur Kushtetutën me masën e “pezullimit” ndaj ministres. Çfarë katastrofe do të ishte për të në sytë e opinioinit publik! A do ta përsërisë më tani ai gabimin që bëri me “pezullimin” e ministrit? Besoj se për 35 vjet të tjera jo.

Po qeveria që ka bërë ankesën në Gjykatën Kushtetuese çfarë do të bëjë tani, që Gykata po e shtyn vendimin për në “kalendat greke”? Qeveria do të vazhdojë normalisht punën me Ballukun zëvendëskryeministre. Ajo e ka gjetur “çengelin”, ku e ka mbështetur qëndrimin e saj: pret deri në pafundësi vendimin e Gjykatës Kushtetuse për “pezullimin”, i cili mund të mos vijë kurrë. Ndërkohë që kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut skadon pas dyzetë ditësh. Të gjitha palët pra, dalin të fituara dhe merita kryesore për këtë i takon Gjykatës Kushtetuese. Vetëm palët e etura për “hakmarrje” mbeten të zhgënjyera.