Nga Flogert Muça/
Vendimmarrja e fundit e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin nga detyra të një anëtareje të Këshillit të Ministrave nuk është thjesht një episod juridik i debatueshëm. Ajo përbën një problem serioz institucional, sepse në thelb nuk kemi një vendim kushtetues, por një vendim pa vendim. Gjykata pranon se Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht autorizimin e Kuvendit për masën e pezullimit nga detyra të një ministri. Pranon gjithashtu se ekziston një përplasje reale kompetencash mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Pikërisht këtu duhet të ndërhyjë Gjykata Kushtetuese. Por ajo ndahet në mënyrë të barabartë dhe, në fund, refuzon të ushtrojë funksionin e saj themelor: interpretimin e Kushtetutës.
Rrëzimi formal i kërkesës nuk krijon asnjë standard, nuk orienton asnjë institucion dhe nuk zgjidh konfliktin. Përkundrazi, ai e lë të hapur, duke e transferuar përgjegjësinë diku tjetër, pa përcaktuar kufijtë aktualë të pushteteve. Në këtë kuptim, rasti individual i Belinda Ballukut ka rëndësi dytësore. Sot është një ministre, nesër mund të jetë çdo anëtar tjetër i qeverisë. Dëmi real nuk është personal apo politik, por thellësisht institucional. Kur pushtetet përplasen dhe Gjykata Kushtetuese refuzon të flasë, balanca mes tyre mbetet pa arbitër.
Në një shtet të së drejtës, konfliktet mes pushteteve nuk zgjidhen me heshtje. Ato zgjidhen me interpretim kushtetues. Një gjykatë që, përballë një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, thotë në mënyrë implicite “rregullojeni vetë”, nuk po mbron ndarjen e pushteteve, por po e braktis atë. Këtu qëndron rreziku më i madh i kësaj vendimmarrjeje: jo tek rezultati konkret, por tek mesazhi institucional që përcillet për të ardhmen.
T’i thuash Kuvendit se duhet të ndërhyjë si ligjvënës kushtetues, pa dhënë asnjë interpretim mbi kuptimin aktual të normës kushtetuese, nuk është akt jurisprudence, por shmangie përgjegjësie. Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për të konstatuar se Kushtetuta hesht, por për ti dhënë kuptim pikërisht kësaj heshtjeje. Nëse mjafton deklarimi se “Kushtetuta nuk e parashikon”, atëherë për këtë funksion nuk nevojitet një gjykatë kushtetuese. Mjafton një gjykatë administrative ose një lexim teknik i Kodit të Procedurës Penale.
Konstitucionalisti nuk është noter i boshllëqeve dhe as administrator pasiv i boshllëqeve ligjore; ai nuk ekziston për të shmangur vendimmarrjen. Ai është jurist elitë, shkencëtar i së drejtës, i thirrur për të ndërtuar standarde dhe për të ruajtur ekuilibrat themelorë të rendit kushtetues. Të fshihesh pas formulës se çështja i përket ligjvënësit kushtetues, kur ke përpara një konflikt konkret kompetencash, nuk është vetëpërmbajtje institucionale, por heqje dorë nga pushteti interpretues që Kushtetuta vetë ia ka besuar Gjykatës Kushtetuese.
Edhe më problematike bëhet situata kur një organ i tillë përbëhet edhe nga anëtarë pa formim të thellë juridik kushtetues, në një moment kur vendimmarrja kërkon rigorozitet maksimal profesional dhe guxim intelektual. Sepse Gjykata Kushtetuese nuk është forum debati akademik dhe as tryezë kompromisi. Ajo është autoriteti i fundit që duhet të vendosë, jo të presë.
Një gjykatë që pranon konfliktin, pranon boshllëkun dhe megjithatë refuzon të japë zgjidhje, nuk funksionon më si organ suprem kushtetues. Ajo shndërrohet në parkim institucional, një vend ku çështjet ndalojnë, por nuk zgjidhen. Dhe në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk guxon të interpretojë Kushtetutën, Kushtetuta mbetet pa mbrojtës dhe balanca mes pushteteve pa garant.
Në këtë kuptim, problemi nuk është një vendim i vetëm, por modeli që po ndërtohet. Një model ku Gjykata Kushtetuese shmang përgjegjësinë e saj kryesore dhe i lë konfliktet kushtetuese të varura në ajër. Dhe një gjykatë kushtetuese që nuk vendos, nuk është më gjykatë. Është parkim.




















