Vrasësi me pagesë Henrik Hoxhaj, i pandehur si pjesë e dosjes “Plumbi i artë”, ka dëshmuar sërish ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, duke zbuluar detaje të reja mbi ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në vend.
Hoxhaj deklaroi se Nuredin Dumani i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha si dhe 150 mijë euro për vrasjen e të birit. Hoxhaj tha se porosia për vrasjen e djalit të Lulzim Mashës ishte dhënë nga Eldi Dizdari, një prej bosëve shqiptarë të kokainës.
Meqenëse djalin nuk po e gjenin dot, plani ishte të vritej Lulzim Masha, me qëllim që të shfaqej i biri. Hoxhaj ka treguar edhe motivet se pse Eldi Dizdari kërkonte vrasjen e Lulzim Mashës dhe të birit.
Sipas tij,vëllai i Eldi Dizdari kishte pasur një lidhje me vajzën e Lulzim Mashës. Dizdari kishte kaluar disa pasuri me vlerë miliona euro në emrin e saj.
Pas ndarjes, vajza e Lulzim Mashës nuk ka pranuar për t’u kthyer pasuritë vëllezërve Dizdarit, për t’i kaluar në një emër tjetër.
“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre“, tha ai.
Në seancë, Hoxhaj theksoi se armën për të vrarë Lulzim Mashën ia kishte dhënë ‘Sakati’, duke iu referuar Aleksandër Bahos. Hoxhaj shtoi se arma i ngeci Skerdi Tases, në momentin që do qëllonte Lulzim Mashën.
“Armën për ngjarjen na e dha “sakati”, Nuredini na lidhi me të, kjo arme u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha berë edhe prova, 2 ditë para kisha qëlluar. Nuk po gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huq dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij, me këtë bluzë kaq i gjatë etj”, u shpreh Hoxhaj.
Deklarata e sotme në gjyq e Henrik Hoxhës shihet me rezerva pasi më parë kishte thënë se nuk kishte dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.
Ndërkohë, deklarata e Henrik Hoxhës bie ndesh dhe me deklaratën e Dumanit, i cili ka dëshmuar se porositësi i kësaj ngjarje ka qenë Aleksandër Baho, i njohur me nofkën “Sakati”.
Si Aleksandër Baho po ashtu edhe Eldi Dizdari dyshohet se qëndrojnë në Dubai.
Atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha, administrator i një shkolle private në Tiranë, u regjistrua më 18 Janar të vitit të kaluar në zonën e Liqenit të Thatë në kryeqytet.
Një person i paidentifikuar qëlloi me armë zjarri pistoletë në drejtim të mjetit tip Benz të cilin e drejtonte Masha, i cili udhëtonte i vetëm. Si pasojë e të shtënave nuk pati persona të lënduar.




















