Mauro Icardi nuk do të vijë te Juventusi. Trajneri i Zonjës së Vjetër, Luciano Spalletti vendosi të shuajë menjëherë zërat e shfaqura orët e fundit në lidhje me një interesim të klubit torinez për sulmuesin argjentinas.

‘Icardi është një djalë i këndshëm dhe një goleador shumë i mirë-tha Spalletti-kam folur mirë për atë çfarë më ka dhënë si futbollist në periudhën kur kemi punuar së bashku, por kjo nuk do të thotë se e duam në skuadër. Kam folur mirë për të, por nuk e duam’

Luciano Spalletti foli edhe për fitoren e skuadrës së tij ndaj Parmës, një sukses që e mban skuadrën torineze të ngjitur me zonën Champions me trajnerin që deshi të komentojë sipas mënyrës së tij statistikat që shohin skuadrën e tij në rritje të vazhdueshme.

‘Shifrat të çojnë në rrugë të gabuar-tha Spalletti-më mirë të mos i shohësh, është më mirë të vlerësosh sjelljen reale të futbollistëve. Kam një skuadët që ka me të vërtetë mundësi që të bëhet shumë e fortë pikërisht për këtë miqësi, këtë unitet, për argëtimin gjatë stërvitjes, për faktin që lojtarët hyjnë në fushë e të bëjnë çdo gjë që iu kërkohet me entuziazëm dhe vendosmëri’.

E vetmja notë jo pozitive për Juventusin, ishte problemi fizik i Yildiz i zëvendësuar në pushimin e ndeshjes.

‘Në pjesën e parë na tha se ndjente pak dhimbje, por donte të mbyllte atë pjesë-shtoi Spalletti-për këtë arsye i besuam, por tani ka pak dhimbje edhe kur ecën, kështu që është e nevojshme të bëhen vlerësimet, por ata që e kanë trajtuar thanë se nuk është shumë e rëndë, kështu shpresojmë që të mund ta rikuperojmë. Për të enjten do të jetë pak e vështirë, por kështu është’.