Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) ka shqyrtuar rastin e arrestimit të ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke dalë në konkluzione se ka pasur mangësi serioze procedurale gjatë arrestimit dhe ndalimit, duke përfshirë mungesën e provave se individi është informuar menjëherë për arsyet e arrestimit, kufizimet në të drejtën për akses të menjëhershëm në një avokat, mosdhënien e një karte të të drejtave dhe mirëmbajtjen joadekuate të dokumentacionit zyrtar.
IFIMES i është referuar gjetjeve të Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e Metës në paraburgim ashtu si dhe për arrestimin. Duke vënë theksin tek prezumimi i pafajsisë, IFIMES thotë se “përdorimi i prangave, mbajtja e tyre brenda ambienteve të policisë dhe trajtimi i individëve pa një bazë të qartë ligjore konsiderohen me të drejtë të paligjshme dhe degraduese. Shqetësuese është se oficerët e policisë ishin të maskuar, drejtonin automjete pa shenja dalluese dhe nuk kishin identifikim të dukshëm ose kamera trupi.”
Në raportin e Avokatit të Popullit, thuhet se gjatë arrestimit të ish-presidentit, ka shkelje të të drejtave të njeriut pasi sikurse është vërejtur, në momentin e parë duhet t’i vendosej në dispozicion vendimi i gjykatës, pra të informohej për masën e arrestit si dhe t’i rezervohej e drejta e një telefonate, pra me avokatin.
IFIMES shkruan se rasti i Ilir Metës dhe performanca institucionale, dobësojnë legjitimitetin e institucioneve gjyqësore dhe lënë vend për pretendime për drejtësi selektive.
Shkrimi i IFIMES mbyllet me vlerësim për gjetjet e Avokatit të Popullit duke e cilësuar raportin si serioz dhe të bazuar në ligj, duke identifikuar qartë dobësitë sistemike në sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.
Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po ashtu, ndaj familjes së tyre SPAK ka nisur edhe hetim pasuror.




















