Nga Gentian Gaba/

Ilir Meta, kjo çingie e Edi Ramës, nuk është në burg vetëm për shkak të akuzave për korrupsion; Ilir Meta është në burg sepse u bë si ajo bretkosa mendjemadhe që plasi, pasi deshi të fryhej sa një buall. Prej kohësh përpiqet ta paraqesë veten si opozitar, si viktimë e regjimit të Ramës, ndërkohë që ka qenë një nga muratorët e kësaj ngrehine të korruptuar.

Sot, paturpësisht thotë se Rama nuk e miratonte dot i vetëm reformën territoriale, pasi kishte vetëm 65 vota nga 84 që i duheshin; mirëpo, me pafytyrësi, fsheh rolin e tij në arritjen nga ana e Ramës të numrit të votave të nevojshme. Kjo reformë, e lindur e dështuar dhe e organizuar për të përmbushur synimet elektorale të ideatorëve, kaloi edhe me votat e LSI-së dhe, ndërkohë që kishin arritur një konsensus mes të majtëve (Rama + Meta, të cilëve iu bashkua Idrizi), donin ta përdornin PD-në si dekor demokratik, për të përmbysur me dhunën e kartonëve konsensusin me të cilin zhvilloheshin më parë këto reforma.

Kjo pafytyrësi e ortakut të Edi Ramës, që kërkon t’ja ngecë derrin maç PD-së, nuk është retushimi i vetëm i historisë që Meta bën. Ai jo vetëm i dha votat PS-së për të qeverisur, por ishte në bashkëqeverisje kur u kanabizua vendi nga Vermoshi në Konispol; ishte në bashkëqeverisje kur shëndetësia iu dha PPP-ve korruptive; ishte në bashkëqeverisje kur nisën inceneratorët; e mbi të gjitha ishte në bashkëqeverisje kur, me vullnetin e tij, Ilir Meta prishi konsensusin për miratimin e ligjeve organike të Reformës në Drejtësi në verën e 2016.

Pas miratimit me 140 vota të Reformës, duhej të miratoheshin ligjet organike me mirëkuptim mes palëve, për të shmangur kapjen e sistemit dhe problematikat që mund të lindnin nga një proces i njëanshëm. Ilir Meta bashkoi votat me Edi Ramën, duke përjashtuar PD-në nga procesi. PD votoi vetëm 1 nga ligjet organike, atë për SPAK; të tjerat, që u bënë sipas qejfit të Edi Ramës dhe zellit idiot të Ilir Metës, prodhuan deformimet dhe vonesat që lindën me reformën, si pasojë e pazarit hileqar mes Ramës dhe Metës.

Ndaj ky njëri nuk jep dot leksione opozitarizmi, kur ka qenë pjesë e ingranazhit të Edi Ramës për ta sjellë demokracinë shqiptare në këtë gjendje.