Bodo/Glimt fitoi në Norvegji 3-1 kundër Interit në aktin e parë play-off të Champions League, ndërsa sfida e kthimit do luhet më 24 shkurt në ‘Giuseppe Meazza’. Paçka humbjes, ‘Corriere dello Sport’ në Itali shkruan se goli i vetëm i Interit, shënuar nga Francesco Esposito në minutën e 30-të (barazoi përkohësisht rezultatin në 1-1) dhe që u konfirmua nga VAR-i, duhet të ishte anuluar për prekje të topit me dorë.

“Do të ishte një gabim i rëndë, nga ato që të hiqet licenca, ai i arbitrit Daniel Siebert (i përjashtuar tashmë nga 16 kandidatët e mundshëm për Kupën e Botës) dhe nga asistenti i tij në VAR, Dingert. Ndaj po ruajmë atë 1% mundësi që në VAR të ketë një pamje që qartëson se Pio Esposito nuk ka prekur topin me parakrah/kyçin e majtë, para golit. Ose që t’i jenë fikur të gjitha videot dhe kështu pa asnjë lloj prove, kanë lënë në fuqi vendimin e fushës”, shkruan gazeta italiane e cila i ka vënë notën 4,5 kryesorit.

“Topi që prek krahun/dorën e lojtarit që shënon, menjëherë duhet të konsiderohej faull dhe goli të anulohej. Prandaj, prekja e topit në krahun e Carlos Augusto nuk llogaritet (nuk është e dënueshme, nuk ka konotacionet e lojës së qëllimshme), prekja e parakrahut (kyçit të dorës) nga Pio Esposito, i cili më pas shënon menjëherë, duhet të ishte vlerësuar më me kujdes, veçanërisht nga VAR, Dingert, një gjerman”, nota 5 për VAR-in nga ‘Corriere dello Sport’.

Këto raste të ngjashme me sistemin e teknologjisë (VAR) i bashkangjiten zhurmës së fundjavës së shkuar, kur një karton i kuq i paqenë për mbrojtësin e Juventusit, Kalulu, të shkaktonte shumë polemika në Itali, ndërsa Interi mposhti 3-2 bardhezinjtë.