Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se integrimi i Shqipërisë në BE është në një udhëkryq për shkak të maxhorancës.
Në një reagim në rrjete sociale, Tabaku shprehet se PS me kryeministrin Edi Rama po refuzojnë që të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë ashtu siç kërkohet në çdo vend evropian, njësoj për të gjithë pa përjashtime e privilegje.
“Shqipëria është realisht në një udhëkryq. Dhe ironia është se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë janë e njëjta forcë politike që në vitin 2010 refuzoi të votojë tre ligje të rëndësishme, duke bllokuar institucionet për interesa të ngushta politike. Sot, po e njëjta parti dhe i njëjti kryetar partie e kanë degdisur Shqipërinë në një tjetër udhëkryq – atë të integrimit europian – sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend europian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje.”, shkruan ajo.
Më tej, ajo thekson se kjo “aventurë politike” duhet të mbarojë dhe se qytetarët duhet të vendosin për Shqipërinë evropiane, me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.
Ajo bën gjithashtu thirrje që të bashkohen në protestën e thirrur pasditen e së shtunës, për ta bërë, siç thekson deputetja, zërin qytetar të dëgjohet.




















