“Një traumë e rëndë morale për qeverisjen dhe sinjal që dëmton besimin publik te standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën e integrimit evropian”, kështu e konsideron ish-deputeti socialist Petro Koçi dorëheqjen e munguar të ministres Belinda Balluku. Në një intervistë për TemA, Koçi thotë se refuzimi për të marrë përgjegjësi politike në një moment kur drejtësia e re është vënë në lëvizje përbën një “shkelm” ndaj një prej arsyeve kryesore që përshpejtuan procesin e integrimit: ndërtimin e një kulture llogaridhënieje dhe respekti për institucionet e drejtësisë.
Ai e cilëson absurde mënyrën e argumentimit për refuzimin e dorëheqjes apo shkarkimit dhe si një autogol politik që nuk arrin të shuajë akuzat për korrupsion, por përkundrazi i mban ato në qendër të vëmendjes publike.
Koçi komenton rezultatet e “elitës së re socialiste”, e projektuar rreth 15 vite më parë, e cila erdhi si zëvendësuese e elitës së Partisë Socialiste të para vitit 2005. Pas më shumë se një dekade në pushtet, ai vlerëson se rezultatet janë zhgënjyese, duke përmendur një klimë korrupsioni dhe një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë nën hetim apo të dënuar. Për Koçin, shteti nuk mund të ndërtohet vetëm mbi emra të rinj me diploma të mira dhe karrierë të shpejtë administrative, por mbi përvojë, traditë institucionale dhe kulturë politike, sepse, sipas tij, shteti është edhe vazhdimësi dhe memorie, jo thjesht rotacion brezash.
Ai kritikon mënyrën se si janë ndërtuar raportet e brendshme në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke i cilësuar si metoda me natyrë klanore që nuk i shërbejnë më funksionimit të një partie moderne, por e transformojnë atë në një strukturë që ngjan më shumë me administratë shtetërore sesa me organizatë politike përfaqësuese. Ai e vlerëson sot drejtimin e partisë jo si parti politike, por si ndërmarrje shtetërore.
Ish-deputeti socialist shprehet kritik edhe ndaj mënyrës si interpretohen zhvillimet institucionale, duke sugjeruar se vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë janë përdorur në debat publik si instrument politik, çka sipas tij dëmton seriozitetin e institucioneve dhe rrit mosbesimin e qytetarëve.
Koçi ndalet edhe te deklaratat e kryeministrit Edi Rama se Balluku kishte paraqitur dorëheqjen tri herë, duke vënë në dukje se komunikimi publik dhe gjuha e përdorur në mesazhe të bëra publike nuk i shërbejnë standardit etik që kërkohet nga një qeverisje që pretendon reformim të thellë. Ai paralajmëron se mosmarrja e një vendimi të qartë politik mund të ketë pasoja për vetë Partinë Socialiste, pasi perceptimi i pandëshkueshmërisë dëmton besueshmërinë elektorale dhe morale të saj.
Në analizën e tij, Koçi flet për një “pushtet misterioz” që i atribuohet Ballukut në diskursin publik dhe thekson se përgjigjen përfundimtare duhet ta japë drejtësia, duke nënvizuar rolin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në misionin për të provuar se askush nuk është mbi ligjin. Ai e sheh vitin aktual si të vështirë për qeverinë dhe Partinë Socialiste, në një kohë kur figura të rëndësishme, përfshirë edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, përballen me drejtësinë, duke krijuar një situatë të paprecedentë për mazhorancën.
Koçi komenton edhe panoramën opozitare, duke e cilësuar ekzistencën politike të Sali Berishës si një faktor që në mënyrë paradoksale i ka shërbyer Ramës si “Bingo” politike, pasi polarizimi i fortë ka mbajtur të konsoliduar elektoratin socialist. Sipas tij, krizat aktuale nuk janë thjesht çështje individësh, por simptomë e mënyrës si janë ndërtuar elitat politike në dy dekadat e fundit, duke kërkuar rikthimin te përgjegjësia politike./TEMA




















