Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi sot në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë dhe të kabinetit qeveritar, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, se mbrojtja e interesit publik dhe goditja pa asnjë kompromis e çdo fenomeni të paligjshmërisë mbetet themeli i punës së ministrisë.

Duke folur për mbrojtjen e territorit, Koçiu theksoi se ky është shembulli më domethënës i këtij angazhimi, ku autoriteti i ligjit duhet të jetë i padiskutueshëm.

“E kemi nisur me operacionin e ligjshmërisë në territor, i cili tashmë ka karakter të përhershëm. Me rishikimin e kornizës ligjore në muajin tetor të vitit që shkoi dhe me mundësinë e konfiskimit të shtesave pa leje për përdorim social, po dërgojmë një mesazh të qartë: abuzimi me territorin nuk do të shpërblehet më”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, deri më tani janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, janë prishur 447 ndërtime apo shtesa pa leje dhe janë vendosur masa administrative me gjoba në vlerën rreth 12 milionë euro.

Koçiu nënvizoi se mbrojtja e territorit nuk është vetëm prishje e ndërtimeve pa leje, por mbi të gjitha mbikëqyrje dhe monitorim në kohë reale, si dhe garantim i cilësisë së ndërtimit, respektimit të hapësirave të përbashkëta, mosdevijimit nga projekti dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve dhe investimeve të tyre.

Në këtë kuadër, Koçiu theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur një paketë masash ligjore që synojnë transformimin cilësor të punës së saj në komunitet dhe në mënyrën e qasjes ndaj territorit.

Ndër ndryshimet kryesore përfshihet harmonizimi i punës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me inspektoratet vendore, duke krijuar një strukturë të unifikuar kontrolli dhe mbikëqyrjeje me standarde të njëjta në të gjithë vendin.

Po ashtu, theksi u vendos te forcimi i rolit të prefektit si institucion kyç në koordinimin e institucioneve në nivel vendor. Përmes ndryshimeve në ligjin për prefektin, synohet zgjerimi i kompetencave të tij, sidomos në mbikëqyrjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile.

“Shtimi i dy prefektëve detarë do të ndikojë në rritjen e sigurisë, qetësisë dhe ligjshmërisë në territor”, theksoi Koçiu, duke kujtuar rolin e rëndësishëm të prefektëve gjatë përmbytjeve të muajit janar dhe situatave emergjente të verës së kaluar.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në garantimin e sigurisë, duke e cilësuar Policinë Bashkiake si një institucion me rol domethënës në këtë drejtim. Sipas saj, pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore është edhe ligji për Policinë Bashkiake, që synon transformimin e saj në një strukturë profesionale me standarde të unifikuara në të gjithë vendin, duke funksionuar si krah mbështetës për Policinë e Shtetit.

Policia Bashkiake do të mbetet pjesë organike e bashkive, por do të ketë një bërthamë qendrore që garanton rekrutimin transparent, trajnimin e vazhdueshëm, vlerësimin dhe standardet e njëjta kombëtare, shtoi ministrja.

Sa i përket projektit “Smart City”, Koçiu bëri të ditur se do të instalohen 5 mijë kamera në rrugët kryesore dhe do të monitorohen mbi 20 shkolla, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë në komunitet.

Duke folur për goditjen e aseteve të krimit, ministrja deklaroi se gjatë një viti janë sekuestruar dhe konfiskuar 65 milionë euro pasuri, një shifër që sipas saj ishte e paimagjinueshme më parë.

“Vetëm në vitin 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, nga të cilat 64 janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me karakter social, me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet vulnerabël. Rreth 20 institucione publike kanë përfituar nga këto asete, tha ministrja.

Koçiu bëri të ditur se po punohet për bazën ligjore që pronat e konfiskuara të transferohen edhe në dobi të familjeve të efektivëve të rënë në krye të detyrës.

“Besojmë fort se drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për kriminelët, por edhe solidaritet për ata që sakrifikojnë për mbrojtjen e ligjit dhe jetën e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, ministrja përmendi edhe regjistrin kombëtar të adresave, duke e cilësuar si një domosdoshmëri jetike dhe praktike. Sipas saj, ka nisur një proces i plotë rishikimi dhe përmirësimi, në koordinim me bashkitë dhe aktorët kryesorë në terren, për të adresuar problematikat që lidhen me kufijtë hartografikë dhe standardizimin e sinjalistikës.

Në përmbyllje, Koçiu njoftoi rritje të mëtejshme pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Sipas saj, 720 efektivë të trupave operacionale dhe elitare, përfshirë forcat RENEA, Forcat Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, do të përfitojnë rritje të ndjeshme page.

Paga për gradën inspektor do të rritet nga 1600 euro, ndërsa për gradën kryekomisar apo drejtues do të shkojë deri në 2300 euro.