Kreu i PD-së Sali Berisha në konferencën për mediet sot në 13 shkurt, kishte kritika të ashpra për qeverinë shqiptare.
Berisha tha se presidenti amerikan Donald Trump, pasi ia mbylli derën Ramës në Davos, tashmë nuk e lejoi atë të marrë pjesë në Konferencën e Mynihut.
Ai komentoi edhe konferencën e Ramës me Dashnor Sulën, kryeinspetorin e vendit tashmë e ish-deputet i Partisë Demokratike. Berisha u shpreh se shprehja “Puthu me Milon” tashmë është kthyer në “Puthu me Dashin”.
“Ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin. Edi Rama sot që kishte prenotuar hotele, salltanete dhe bëhej gati komunikata të parafabrikuara të na dërgonte nga konferenca më e rëndësishme vjetore e sigurisë në botë, që është Konferenca e Mynihut, nuk shkoi dot.
Ai dhe ekipi i tij nuk u nis dot për Mynih, e anuloi. Batoni me një pjesë të ekipit është në Mynih duke e pritur, por Rama, thashë edhe njëherë, ajo që thotë populli puthu me Milon, u bë sot e vërtetë, puthu me Dash Sulën. Ky është një akt për të cilin do të shpreh mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre që i refuzuan takimet narkodiktatorit të Tiranës.
Të gjithë atyre që i anuluan takimet e fiksuara para vizitës së tij në Bruksel. Të gjithë atyre që e bënë me qëndrimet e tyre Edi Ramën mish të huaj, trup të huaj në atë konferencë dhe ia mbyllën dyert. Pra, në një hark kohor trejavor, në dy aktivitetet më të rëndësishme, absolutisht më të rëndësishmet të vitit, në forumin global të Davosit dhe në Davosin e sigurisë, që është Konferenca e Mynihut, dyer të mbyllura për kryehajdutin e kombit shqiptar. Nderimin më të madh qytetarëve opozitarë, të cilët me protestat e tyre, u bënë zëri i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve”, tha Berisha.




















