Gjashtë vite më parë Marc Ghorayeb konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban njëherazi këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Lindjen e Mesme, bashkë me drejtorin e atëhershëm të antiterrorist Gledis Nano dhe kolegun Idrit Doda, gjejnë dhe marrin nga çadrat e kampit Al Hol Endri Dumanin.
Por e motra Eva e cila atje njihej me emrin Sara, bashkë me disa gra të tjera u fshehën, duke mos dashur të riatdhesoheshin.
Në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Marc Ghorayeb, flet për situatën aktuale të grave dhe fëmijëve shqiptarë mbetur në Siri.
Për herë të parë tregon edhe se çfarë po ndodh me ish luftëtarët shqiptarë të ISIS në burgjet e atjeshme.
Muhamed Veliu: Gjatë 6 viteve të fundit keni bërë shumë përpjekje për ta rikthyer Eva Dumanin në atdhe, ashtu siç bëtë edhe me vëllain e saj Endrin. Si e pritët lajmin që Eva mbërriti në Shqipëri?
Marc Ghorayeb: I konsideroj këtë si një çlirim sepse kjo është diçka me rëndësi për të ardhmen e Evës pasi ajo meriton një jetë të qetë pas gjithë atyre vuajtjeve që kaloi e të tjera vështirësive rreth saj përfshi ato tonat kur shkuam për ta marrë. Ne e vendosëm veten tonë në një rrezik të madh kur hymë në kampin Al Hol pasi Gledis Nano ngulmoi të kontrollonim në kamp e të gjenim fëmijët Jam i lumtur që ajo është pranë familjes tani, në një jetë të re. Ne vuajtëm shumë ta gjenim por ajo na u shmang. Kur morëm Endrin në makinë ai na orientoi të shkonim në tendat me numër 45 dhe 47 ku ajo fshihej. Ia doli të largohej e të na zhdukej. Ne gjetëm numrat e telefonit që përdorte. I dërguam shumë mesazhe në shqip, në gjuhën kurde dhe ruse për ta bindur por mendoj se i kishin bërë shpëlarje truri. Faleminderit Zotit që ajo doli nga ajo situatë shumë e errët dhe e vështirë duke pranuar të kthehej në shtëpi.
Muhamed Veliu: A mund të na tregoni sa është numri i grave shqiptare dhe fëmijëve të tyre që ndodhen aktualisht në Siri?
Marc Ghorayeb: Disponojmë listën me emrat e 20 prej tyre. Jemi në kontakte me zyrtarë të ndryshëm për të gjetur kanale në riatdhesimin e tyre. Ndryshimi regjimit në Siri ka bërë që ky vend të mos jetë si më parë. Është shumë e vështirë të koordinosh pasi ka ndarje të thella brenda Sirisë tani në terren. Ti nuk e din se me kë mund të komunikosh.
Muhamed Veliu: Sipas informacioneve që keni , ku ndodhen tani gratë shqiptare dhe fëmijët e tyre që kanë mbetur atje, pas hapjes së kampeve Al Hol dhe Roj?
Marc Ghorayeb: Kanë përdorur të njëjtën rrugë siç edhe Eva Dumani u largua nga kampi i ferrit Al Hol, duke vajtur në qytetin Salqin në kufi me Turqinë.
Shumica e tyre tani ndodhen në zonën mes Idlip dhe Salqin.
Ka të dhëna që tregojnë se disa prej tyre po tentojnë të hynë ilegalisht në Turqi duke kaluar nga zona Reyhanli e më pas nëse do të arrijnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Nuk është një çështje e lehtë pasi do tu duhet të hynë ilegalisht në Turqi dhe kjo është e rrezikshme.
Muhamed Veliu: Zoti Ghorayeb, nga informacionet që keni mbledhur nga burime të ndryshme, cili është numri i shtetasve shqiptarë që, pas rënies së ISIS-it, u vendosën në burgje në Siri?
Marc Ghorayeb: Janë 10. Dy prej tyre kanë ndërruar jetë në qelitë e burgjeve siriane. Tani kanë mbetur tetë dhe pritet të dërgohen në burgjet e Irakut. Ne jemi në kontakt gjithashtu me autoritetet e Interpolit në Irak. Nuk jam i sigurt çfarë mund të ketë ndodhur me ta gjatë rrëmujës së fundit me burgjet në Siri. Por mund t’ju them se janë burgun Shaddadi.




















