Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro gjatë interpelancës së sotme në Kuvend të kërkuar mbi dhunën në shkolla, prezantoi planin e masave institucionale për të garantuar sigurinë në shkolla, mbështetjen psikologjike dhe këshillimin e karrierës për mbi 355 mijë nxënësit e sistemit parauniversitar duke theksuar rëndësinë e të trajtuarit të sfidave duke marrë pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë, nga familja tek institucionet.

“Po flasim për një sfidë globale që, në forma të ndryshme, po përjetohet nga të gjitha shoqëritë, dhe që lidhet drejtpërdrejt me dinamikat që shoqërojnë ndryshimin e botës ku rriten fëmijët tanë: E kam fjalën për hapjen pa limit te botes virtuale qe thyen gjithë kodet e komunikimit dhe zhbën konvencionet etike të shoqërive mbi të cilat ngrihen dhe rregullat e sjelljes në shoqëri. Dhe patjetër është një sfidë globale. Por është një sfide që, në Republikën e Shqipërisë, do të duhet ta trajtojmë të gjithë ne bashkë aktorët socialë, politike, ekonomike, mediatike, nga familja e deri te shteti- si një kauze për bashkim forcash, dhe jo si sebepin e radhës për politiken e çastit.

Kemi 355 mijë e 510 fëmijë në sistemin tonë parauniversitar nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Janë mbi 30 mijë mësues që punojnë sot me përkushtim në të 1498 shkollat e sistemit parauniversitar. Janë po ashtu 2670 mësues ndihmës që japin sot kontributin e tyre ne te gjithë këtë rrjet per te siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi te veçanta brenda të njëjtit sistem, ku numri i fëmijëve me aftësi ndryshe për vitin 2025-2026 është rritur me 6,8% për një total prej 6073 fëmijë, përkundër rritjes së numrit të mësuesve ndihmës me 8%.

Mbi 686 koordinatorë cilësie dhe koordinatore te karrierës te trajnuar profesionalisht si te tille, punojnë ne shkollat tona për te rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të shoqëruar nxënësit ne Arsimin baze dhe ne atë të mesëm ne zgjedhjet dhe vendimmarrjet e tyre për jetën. 329 oficerë sigurie janë të pranishëm çdo ditë në shkollat me numër të madh nxënësish, dhe vijon procesi i trajnimit te kandidateve te tjerë pranë Akademisë së Sigurisë, ndërkohë qe është 392 numri i miratuar për oficerë sigurie dhe i garantuar me fond page, për çka vijojnë thirrjet periodike ne mënyrë te rregullt. 1183 psikologë dhe punonjës sociale janë aktivë në shkollat publike dhe jo publike te Republikës së Shqipërisë.

I solla në vëmendjen tuaj këto të dhëna, sepse e gjej cinike dhe dritëshkurtër, që të mohosh, me lehtësinë e padurueshme të kohës së papërfillshme televizive që zë kjo lloj politike, punën që bëhet çdo ditë nga mijëra e mijëra punonjës të arsimit, për të çuar përpara dhe për të përmirësuar po ashtu ditë pas ditë cilësinë e arsimit kombëtar, rolin e shkollës, dhe krijimin e modeleve te mira, përkundër fenomeneve negative bashkëshoqëruese qe janë po aq te lashta sa njerëzimi dhe po aq moderne e te komplikuara sa koha qe po jetojmë. Dhe është gjithaq e shëmtuar të stigmatizosh një kategori të tërë punonjësish të përkushtuar – mësuesit, dinjitetin e të cilëve duhet ta mbrojmë të gjithë si pasuri kombëtare”, tha ndër të tjera Ministrja Mirela Kumbaro.