Nga Doktor Zhivago
Gjykata Kushtetuese u mblodh. U përqendrua. U izolua nga bota. Dhe pas 10 orësh intensive mendimi, arriti në përfundimin më popullor të televizionit shqiptar: lojën ta vazhdojmë, askush nuk del sonte.
Një vendimmarrje që në fakt nuk është vendimmarrje, por një formë elegante e larjes së duarve me sapun kushtetues. Sepse kur nuk thua as po, as jo, ke thënë gjithçka dhe asgjë njëkohësisht. Një “neutralitet” që i ngjan më shumë një pauze reklame sesa një akti drejtësie.
Nëse dikush priste nga Kushtetuesja të ishte arbitër, gaboi derë. Ajo zgjodhi të jetë prezantuese. Si Ledion Liço në Big Brother: shumë fjalë, shumë suspense, shumë “pak durim”, por kur vjen momenti për të nxjerrë Rogertin… del një zarf bosh. Dhe loja vazhdon.
Dhjetë orë diskutime për të prodhuar një efekt zero. Një maratonë mendimi që përfundon në një sprint në vendnumëro. Sepse vendimi i vetëm real ishte ky: mos të vendosim sot, se ndoshta nesër bëhet më e qartë. Spoiler: nuk bëhet.
Ironia është se Gjykata Kushtetuese ekziston pikërisht për këto momente. Për situata ku të tjerët ngatërrohen, ku ligji keqpërdoret, ku pushtetet përplasen. Por në vend që të jetë pika fikse e busullës, u kthye në ekran LED që shfaq “loading…”.
Në Big Brother, kjo funksionon. Publiku nervozohet, por rri. Në shtet, nervozizmi nuk është argëtim, është simptomë. Sepse kur institucioni që duhet të japë qartësi zgjedh mjegullën, mjegulla bëhet normë.
Dhe kështu, si në çdo të premte televizive, mbrëmja mbyllet pa eliminim. Rogerti rri në shtëpi. Loja vazhdon. Vetëm se këtë herë, nuk është reality show. Është realitet.




















