Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare, duke lënë në fuqi skemën aktuale me 8 komisione.
Çështja u dërgua për shqyrtim pas ankimimit të deputetëve të opozitës, të cilët pretenduan se procedura e ndjekur nga mazhoranca për rritjen e numrit të komisioneve nga 8 në 11 ishte në kundërshtim me rregullat parlamentare dhe Kushtetutën. Sipas tyre, vendimmarrja ishte e njëanshme dhe cenonte balancën përfaqësuese në drejtimin e komisioneve.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e konsideroi ndryshimin si një përpjekje për t’i hequr opozitës drejtimin e Komisionit për Integrimin, duke e cilësuar këtë si pasojën kryesore të ristrukturimit të propozuar.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se procedura e ndjekur nga Kuvendi nuk ka qenë në përputhje me parashikimet kushtetuese, ndaj kërkon rishikimin e saj sipas standardeve ligjore.
Vendimi përcakton se Kuvendi ka 30 ditë afat nga hyrja në fuqi për të korrigjuar procedurën, ndërsa deri atëherë mbetet në fuqi organizimi me 8 komisione parlamentare.




















