Lideri suprem i Iranit paralajmëroi të martën se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar qeverinë iraniane do të dështoje.

Paralajmërimi vjen ndërsa SHBA dhe Irani kanë nisur bisedime indirekte në Gjenevë mbi çështjen bërthamore, përballë një përqendrimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme.

Agjencia gjysmëzyrtare Fars raportoi se pjesë të ngushticës strategjike të Hormuzit do të mbyllen për disa orë për shkak të “masave të sigurisë”, ndërsa Gardat Revolucionare të Iranit zhvillojnë stërvitje ushtarake në rrugën kryesore të eksportit të naftës.

Teherani ka kërcënuar më parë se do të mbyllte ngushticën për trafikun tregtar në rast sulmi, një lëvizje që do të pengonte një të pestën e furnizimeve globale të naftës dhe do të rritte çmimet e karburantit.

Në bisedime marrin pjesë i dërguari amerikan Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ministri iranian i Jashtëm Abbas Araqchi, ndërsa negociatat po ndërmjetësohen nga Omani. Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do të jetë i përfshirë “indirekt” dhe beson se Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje.