Filmi i ri i regjisorit francez Olivier Assayas, i titulluar “Magjistari i Kremlinit” dhe i bazuar në romanin e Giuliano da Empoli, ka ngjallur debat të madh mbi mënyrën se si paraqitet Rusia dhe presidenti Vladimir Putin.

Në një artikull të gazetës italiane La Stampa thuhet se në film shfaqen elemente tipike të imazhit folklorik rus, pyje të mbuluara me borë, vodka, kapela tradicionale, oligarkë të pasur dhe ish‑zyrtarë të KGB‑së. Personazhet janë realë, përveç “magjistarit”, tek figura e të cilit fokusohet filmi, një spin doctor i frymëzuar nga Vladislav Surkov, i cili për vite ka ndërtuar ideologjitë dhe propagandën e Kremlinit. Kjo ka ngritur dyshime se projekti mund të ketë pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga vetë Surkov dhe oligarkë rusë.
Në film ka skena të ndërthurura me dhunë, atentate dhe intriga politike. Autoritetet e Letonisë, ku filmi u xhirua, e panë me shqetësim, duke e cilësuar si “kërcënim potencial për sigurinë”.

Putin, i luajtur nga aktori Jude Law, nuk paraqitet si lider karizmatik, por si një diktator i pasigurt dhe hakmarrës, i vendosur të kompensojë mungesën e respektit ndërkombëtar me dhunë.

Dhunë që në film shfaqet si fat i trashëguar i Rusisë. Disa rusë e kanë cilësuar filmin si një “klyukva”, simbol i folklorit kitsch rus, ku vodka, arinjtë, KGB‑ja dhe bora përzihen në një imazh që magjeps perëndimorët, por që rusët e shohin si karikaturë.

Megjithatë, disa skena janë të goditura, si për shembull darka e Putinit me oligarkët, ku tartufët i shërben Evgeny Prigozhin, njëkohësisht mjeshtër i kuzhinës, dezinformimit dhe luftës. Ideja e pushtetit dhe frikës si instrument qeverisjeje është e rrënjosur në traditën intelektuale ruse.

Në këtë Rusi të rrëfyer përmes intrigave, luftërave dhe komploteve, mungojnë rusët e zakonshëm, ata jashtë Kremlinit.

“Magjistari” shpjegon gjatë se çfarë duan rusët dhe si manipulohen frikërat e shpresat e tyre, një ide shumë ruse, e lidhur me fuqinë e propagandës. Fitorja, sipas tij, varet nga spin doctor‑i i duhur, që e kthen kronikën në histori dhe historinë në fiksion, të cilin publiku, jo vetëm rus, përfundon duke e ngatërruar me realitetin.