Avokati Maks Haxhia ka folur në “Top Story” për dosjen e AKSHI-t, lidhur me atë se çfarë ka dalë në pah deri më tani nga hetimet që mbahen diskrete.

Haxhia deklaroi se Ergys Agasi nuk rezulton i punësuar te AKSHI, por është një biznesmen që nuk është futur te tenderat e AKSHI-t.

Ndër të tjera ai dha një mesazh të koduar për prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO, kur ngriti pyetjen ‘a do të konsiderohen grup i strukturuar kriminal nëse kanë komunikime me Agasin?”.

“Interesantja është që zoti Agasi nuk është as i punësuar, është thjesht një biznesmen, nuk është futur asnjëherë në tenderat e AKSHI-t, nuk ka kompani në atë fushë, nuk ka marrë asnjë përfitim nga buxheti-financat publike dhe e fusin në grup të strukturuar kriminal lidhur me shkelje të barazisë në tendera, që për mua kjo vepër penale është administrative, mund të ishte shumë mirë “korrupsion në tendera”.

I thonë që ke takuar njerëz të rëndësishëm, por në qoftë se unë konstatoj që zoti Agasi ka kontaktuar prokurorë të SPAK ose gjyqtarë të GJKKO, atëherë edhe ata janë grup i strukturuar kriminal. Të shohim nëse i ka kontaktuar, nuk kam asnjë material nga dosja edhe pse e kam kërkuar”, tha avokati në Top Story.