Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si teatralizim politik të rolit të Kuvendit në raport me sistemin e drejtësisë, duke vënë theksin te nevoja urgjente për ndryshime reale në reformën në drejtësi.
Sipas Manjanit, pas një dekade zbatimi, reforma ka prodhuar ligje të shkruara keq, mungesë gjyqtarësh, paanshmëri të cenuar dhe një drejtësi penale problematike, ndërsa Parlamenti po shmang detyrën e tij thelbësore: korrigjimin e ligjeve dhe riformatimin e sistemit.
Ai kërkon rishikim të thellë të reformës, si kusht për mbijetesën e saj dhe për rikthimin e besimit te drejtësia.
“Këto vizitat inspektuese në gjykata e prokurori të Fatmir Xhafës apo të dërguarve të tij, ngjajnë si ai “Inspektori” te magazina e Shaqo Bregut (filmi Në fillim të Verës).
-Udhëroni zoti inspektor! Aaaa dyer, dritare i kam siguruar më së miri…
– Janë disa çiliminj që duan të dëmtojnë perandorinë…
Dhe në fund i vodhën letrën Shaqo ziut…
Tani, këto dacibao që vijnë nga mendësia e komiteteve qëndrore të partisë e rinisë, nuk janë zgjidhje për asgjë. As për sigurinë e gjykatave.
Parlamenti nuk është as policia e as garda. Aq më pak Fatmiri dhe deputetët në parlament qenkan bodyguardët e gjykatësve apo prokurorëve.
Parlamenti dhe deputetët e tij kanë vetëm një detyrë:
Të bëjnë e korrektojnë ligje.
Reforma në drejtësi, sot pas 10 vitesh ka nevojë për rishikim dhe përmirësim. Çdo reformë në këtë afat ka nevojë për rishikim.
Gjithçka që ndodh gabim sot, vjen më së shumti për shkak të ligjeve gropa-gropa të reformës. Ligje të shkruara keq të miratuara pa debat e me shpejtësi.
Veçanërisht drejtësia penale dhe politika e personelit në gjykata e prokurori duhet riparë e riformatuar.
Mbi të gjitha sistemi ka nevojë për më shumë gjykatës në punë dhe gjykatë të paanshme.
I duhet dhënë edhe një shans reformës të mbijetojë deri sa Shqipëria të ketë një Kushtetutë të re, që të mbyllë njëherë e mirë gjyqet e Nurembergut ndaj shtetasve të vet.
Me këto gjëra duhet të merret parlamenti dhe jo me punë policësh e bodyguardësh.” – shkruan Manjani.




















