Mark Zuckerberg, drejtori ekzekutiv i Metës, pritet të dëshmojë këtë javë në një gjyq të pazakontë që ka të bëjë me ndikimin e mediave sociale tek fëmijët dhe të rinjtë.
Rasti është ngritur nga një vajzë 20-vjeçare, e identifikuar me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i hershëm i Instagramit dhe platformave të tjera e ka bërë të varur nga teknologjia dhe ka përkeqësuar gjendjen e saj mendore, duke përfshirë depresionin dhe mendimet vetëvrasëse.
Drejtori ekzekutiv i Metës pritet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira të mërkurën, ku Meta dhe YouTube janë të pandehurit kryesorë, ndërsa TikTok dhe Snap e kanë zgjidhur çështjen jashtë gjykatës.
Ky gjyq është një nga tre rastet e zgjedhura si “gjyqe paralajmëruese”, që do të thotë se rezultati i tij mund të ndikojë drejtpërdrejt mbi mijëra padi të ngjashme kundër kompanive të mediave sociale në SHBA.
Zuckerberg ka dëshmuar më parë në Kongres për sigurinë e të rinjve, ku madje ka kërkuar falje familjeve që besonin se kishin humbur fëmijët e tyre për shkak të ndikimit të platformave, por kjo është hera e parë që ai do të përballet me pyetje të tilla para një jurie.
Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është e bindur që provat do të tregojnë angazhimin e saj për të mbështetur të rinjtë. Avokatët e kompanisë kanë pranuar se paditësja ka pasur probleme me shëndetin mendor, por kanë argumentuar se Instagram nuk ishte shkaku kryesor, duke përmendur një ambient të vështirë familjar.




















