Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni ka miratuar një dekret të ri legjislativ që forcon masat për sigurinë publike, me fokus parandalimin e dhunës gjatë demonstratave.

Masat parashikojnë vendosjen e të ashtuquajturit “ndalim parandalues”, që lejon ndalimin deri në 12 orë të personave të dënuar për episode të dhunshme apo atyre që kapen me armë, shkopinj ose helmeta, me qëllim pengimin e pjesëmarrjes së tyre në protesta.

Vendimi merret nga policia, ndërsa prokurori njoftohet menjëherë dhe mund të urdhërojë lirimin, nëse nuk plotësohen kushtet ligjore. Gjykatat do të kenë gjithashtu të drejtën të ndalojnë pjesëmarrjen në demonstrata për persona të dënuar për krime të rënda, përfshirë terrorizmin dhe dhunën ndaj zyrtarëve publikë.

Dekreti i qeverisë Meloni përfshin edhe ndryshime mbi vetëmbrojtjen, duke parashikuar që hetimet penale të mos nisin automatikisht në rastet kur ka prova të mbrojtjes ligjore. Paralelisht, ndalohet shitja e thikave për të miturit, si në dyqane ashtu edhe online, ndërsa mbajtja e thikave me teh mbi tetë centimetra dënohet deri në tre vite burg.

“Këto masa janë pjesë e strategjisë sonë për garantimin e sigurisë”, deklaroi Meloni, ndërsa Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi theksoi se bëhet fjalë për instrumente të përdorura gjerësisht në legjislacionin evropian.