Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të hënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar mbi nismën e re ligjore për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Rama: Një ndarje tjetër që e vë re me keqardhje nuk ekziston në mendjen e shumë kujt. Po pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur në Shqipëri? Të tjerët janë të gjithë të varur nga pushteti gjyqësor? Jo, Kushtetuta e thotë ndryshe: ka tre pushtete të pavarura, është legjislativi dhe ekzekutivi. Tani, për çfarë jemi të pavarur ne në raport me gjyqësorin dhe ku gjyqësori nuk mund ta imagjinojë se të hyjë në territorin tonë? Kur themi “tonë”, them pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Ne jemi të pavarur në të drejtën të marrim vendime dhe vendimet tona janë sovrane. Nuk ka prokuror e gjykatës të na ndalojë. Vendimet tona nuk burojnë nga qëllime të pashpallura. Ai pushtet i pavarur prej nesh është për të vigjiluar nëse vendimet tona janë nga qëllimet e shpallura, për të vigjiluar bazuar në prova dhe fakte.