Cortina d’Ampezzo – Dy skiatoret e Shqipërisë, Lara Colturi dhe Semire Dauti mbyllën sot me sukses lëshimin e parë në garën e Skive Alpine në disiplinën e Slalomit Gjigant, e vlefshme për Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’. Dyshja kuqezi u kualifikua për në lëshimin e dytë i cili do fillojë në orën 13:30.
Lara Colturi pranë medaljes, e mbylli në vendin e 4-t
Italo-shqiptarja e cila është mësuar me podiumin në Kupën e Botës, e mbylli lëshimin e parë në vendin e katërt me 0.74 sekonda pas kryesueses italiane, Federica Brignone. Me kohën 1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat, Lara e mbylli në vendin e katërt dhe ka shanse të përmirësojë kohën në lëshimin e dytë, duke kërkuar kështu medaljen historike për Shqipërinë në Olimpiadën Dimërore. Lara Colturi la pas emra si kampionia absolute e skive, amerikania Mikaela Shiffrin, Valerie Grenier, Sara Hector apo edhe Julia Scheib e Camille Rast. 19-vjeçarja italo-shqiptare ka bërë që flamuri kuqezi të jetë prezent në Olimpiadë.
Semire Dauti debuton me sukses
18-vjeçarja tjetër e Shqipërisë, Semire Dauti debutoi me sukses në një event kaq madhor. Me ngjyrat kuqezi, Dauti e mbylli garën në pozitën e 51-të me kohën 1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat, duke u kualifikuar për në lëshimin e dytë.
Në total garuan 76 skiatore, ndërsa në lëshmin e dytë u kualifikuan 61 prej tyre që ia dolën të mbyllnin lëshimin e parë. Ndërkohë skiatorja e Kosovës, Kiana Kryeziu, nuk mundi ta mbyllte sërish një garë në këto Lojëra.
Denni Xhepa
Dje skiatori i Shqipërisë, Denni Xhepa u rendit në vendin e 34-t në Slalomin Gjigant, teksa edhe në disiplinën e Super-G kishte zënë të njëjtin pozicion.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në ‘Milano Cortina 2026’.





















