Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, reagoi sot në rrjetet sociale lidhur me protestën e opozitës në kryeqytet, duke e cilësuar atë si një akt provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve.
“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës,” shkroi Koçiu.
Sipas ministres, protesta e opozitës nuk pasqyron një mobilizim qytetar, por përpiqet të shndërrohet në një sfidë ndaj institucioneve: “Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.”
Koçiu përdori një metaforë për të përshkruar situatën: “Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.”
Ministrja theksoi se kjo dhunë nuk mund të dëmtojë progresin e vendit drejt reformave dhe integrimit europian: “Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet.”




















