Në fshatin Zall në Fushë Krujë është zbuluar një arsenal armësh dhe kanabis, të cilat i përkasin Ylli Zallës, i cili është në kërkim që prej nëntorit.
Në shtëpinë e 49-vjeçarit u gjetën 3 armë zjarri, 24 kallëpe tritol, 11 granata e 6 kg kanabis. Gjithashtu edhe 9000 fishekë, 2 silenciatorë dhe uniforma policie.
Armë të tjera të sekuestruara janë sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 27 djegore.
Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të tjerëve që mund të jenë të përfshirë. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Zalla u dyshua si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 në Rinas ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Asokohe njëra nga pistat ishte se autorët i kishin siguruar armët në bazën e tij, ku u gjet sërish arsenal, por më vonë ekspertiza nuk e lidhi me ngjarjen.
12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.




















