Ditë përpara se Donald Trump të rikthehej në detyrë në janar 2025, Jack Smith publikoi një raport përfundimtar ku pohonte se dënimi për të do të kishte qenë i sigurt po të mos ishte për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024. I publikuar pasi çështja u pushua, raporti funksionoi si një vendim “pas fakti”, ndërsa elektorati dha një gjykim tjetër. Ky moment nënvizon një të vërtetë thelbësore amerikane: ligji është i domosdoshëm, por në fund legjitimiteti mbështetet te pëlqimi i të qeverisurve. Gjykatat dhe prokurorët kanë autoritet, por ky autoritet nuk mund ta shpërfillë zgjedhjen demokratike pa pasoja.

Koreja e Jugut: “Republikë e prokurorëve” dhe reagimi demokratik

Kur prokurorët veprojnë mbi ligjin, ata mund ta kthejnë drejtësinë në armë për të ndikuar rezultatet politike. Koreja e Jugut është një shembull i goditur. Zyra e Prokurorisë për një kohë të gjatë ka përqendruar pushtetin hetimor dhe atë ndjekës penal në një shkallë të tillë, sa pesë presidentët e fundit janë përballur me veprime ligjore pasi kanë lënë detyrën — duke krijuar një klimë politike, ku tejkalimi i kompetencave nga prokuroria kërcënonte rregullisht procesin demokratik.

Presidenti Lee Jae-myung, që mori detyrën në qershor 2025 pas shkarkimit të Yoon Suk Yeol, u përball me një presion të madh ligjor gjatë gjithë fushatës. Hetimet për dyshime për korrupsion dhe shkelje besimi e penguan përpjekjen e tij elektorale, duke ilustruar reputacionin e Koresë së Jugut për prirje “diktatoriale” të prokurorëve. Pavarësisht këtyre pengesave ligjore, Lee fitoi, dhe një gjykatë vendosi të ndalojë gjykimet penale që vazhdonin ndaj tij. Ky rezultat nxori në pah tensionin midis pushtetit prokurorial dhe legjitimitetit elektoral: prokurorët mund t’i vënë në shënjestër figurat politike, por rezultatin e vendosin përfundimisht votuesit.

Vendimi i legjislaturës në vitin 2025 për të shfuqizuar Zyrën e Prokurorisë dhe për të ndarë pushtetin hetimor nga ai ndjekës penal shënoi një korrigjim vendimtar demokratik. Pas dekadash debatesh, reforma u bë e pashmangshme kur prokurorët u angazhuan hapur në konflikte partiake nën Yoon, duke goditur agresivisht figura të opozitës, ndërsa nuk ushtronin të njëjtin kontroll ndaj aleatëve të qeverisë. Duke shpërbërë përqendrimin e autoritetit shtrëngues, legjislatura riafirmoi kontrollin demokratik, duke treguar se edhe tejkalimet e rrënjosura të pushtetit gjyqësor mund të zhbëhen përmes reformave institucionale të qëndrueshme.