Partizani triumfon 2-0 ndaj Tiranës në derbin e zjarrtë të kryeqytetit, i zhvilluar në stadiumin Air Albania Stadium, sfidë e vlefshme për Abissnet Superiore. Të kuqtë konfirmojnë dominimin në kryeqytet, duke marrë një fitore me peshë për objektivat e sezonit.
Takimi nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që u shfaqën kërkuese në fazën ofensive. Bardheblutë tentuan të surprizonin në minutat e para, por me kalimin e kohës ishte Partizani që mori kontrollin e lojës dhe shtoi presionin në zonën kundërshtare.
Epërsia erdhi në pjesën e parë, kur Sidibe zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të mirëorganizuar. Pak minuta më vonë, Isgandarli dyfishoi shifrat, duke ndëshkuar sërish mbrojtjen e Tiranës dhe duke i dhënë qetësi skuadrës së tij para pushimit.
Në fraksionin e dytë, ekipi i drejtuar nga Nuhiu u fut me më shumë dëshirë dhe provoi të rikthehej në lojë. Tirana krijoi disa raste të mira shënimi, por mungoi konkretizimi përballë portës. Partizani administroi me kujdes avantazhin dhe ruajti rezultatin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Me këtë fitore, Partizani ngjitet në kuotën e 33 pikëve, duke u renditur në vendin e pestë. Ndërkohë, situata bëhet edhe më e vështirë për Tiranën, që mbetet në vendin e tetë me 21 pikë, duke komplikuar ndjeshëm objektivin e mbijetesës.




















