Këtë javë u përkujtua 18-vjetori I pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor vjen në një kontekst ku ish-liderët e UÇK-së po gjykohen në Hagë për krime, gjë që ka irrituar mbarë opinionin publik në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë.
Pikërisht për këtë arsye, libri që gazetari Namir Lapardhaja ka sugjeruar për ndjekësit e gazetës TemA, por jo vetëm, është “Republika e parë” e gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Mero Baze.
Libri, që është një botim prestigjioz i shtëpisë botuese UET PRESS, trajton periudhën vendimtare 1989–1999, nga heqja e autonomisë së Kosovës dhe fillimi i represionit të hapur serb, deri te çlirimi në vitin 1999, një dekadë që shënoi lindjen, organizimin dhe mbijetesën e “Republikës së Parë” si shtet paralel në kushtet e pushtimit.
Mbështetur në arkivin e ish-kryeministrit të Kosovës Bujar Bukoshi, Baze ndërton një histori politike të Kosovës brenda Jugosllavisë, përballë tezave shoviniste serbe dhe projektit për spastrim etnik, si dhe përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur identitetin dhe institucionet e tyre./TEMA




















