Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës policie pas nisjes së hetimeve disiplinore për shkelje të rënda të etikës dhe ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, janë pezulluar Inspektori me inicialet A. K., ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë dhe Inspektori K. Gj., Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Inspektoi A.K., më datë 24 shkurt 2026, bashkë me dy persona të tjerë u kapën nga Policia Kufitare dhe Doganore e Kosovës në pikëkalimin kufitar Merdarë. Gjatë kontrollit me skaner, u zbuluan rreth 1 milion euro të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni. Paratë ishin të futura në një qese dhe u gjetën pas skanimit të detajuar.

Hetimi penal ndaj tij po kryhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa procedimi disiplinor vazhdon nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Inspektori K.Gj u pezullua pasi dyshohet se më datë 21 shkurt 2026, në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, ka goditur fizikisht një shtetas të shoqëruar. Sipas inspektorit, i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona dhe gjatë konfliktit kishte ofenduar bashkëshorten e tij, e cila punon në atë market. Edhe për këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale po kryen procedimin administrativ të brendshëm.