Rrugëtimi drejt “Administratës 2030” dhe përgatitja e Shqipërisë për zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian janë prioritet absolut për vitin 2026. Deklarata u bë nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, gjatë prezantimit para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Sipas saj, pas një vlerësimi shumë pozitiv nga SIGMA, organizmi i OECD dhe Bashkimit Evropian për performancën e administratës publike, Shqipëria renditet si vend lider në rajon në katër fusha: menaxhimin e financave publike, menaxhimin e burimeve njerëzore, digjitalizimin e shërbimeve publike dhe koordinimin e politikave.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të reformës mbetet reforma e pagave, e cilësuar si ndërhyrja më e thellë strukturore për forcimin e dinjitetit dhe karrierës së nëpunësve civilë. Sipas Pirdenit, sistemi i ri vendos një model të qartë karriere, të bazuar në shpërblim dhe njohjen e vjetërsisë në punë, si dhe në rishikim periodik të sistemit të pagave.

Paralelisht, po vijon digjitalizimi i plotë i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, me gjenerim automatik të të dhënave dhe pagave për të gjithë punonjësit e administratës, me synimin që proceset të zhvillohen pa përdorim letre. Pjesë e këtij ekosistemi inovimi është edhe nxitja e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, ku në thirrjen e parë për trajnim kanë aplikuar mbi 1200 zyrtarë publikë.

Modernizimi i sistemit të trajnimit po realizohet në partneritet me Institutin Kombëtar të Shërbimit Publik në Francë, ndërsa gjatë këtij viti do të zbatohet edhe një program i dedikuar për trajnimin e drejtuesve të institucioneve publike, me fokus forcimin e kompetencës dhe kulturës drejtuese.

Prioritet për 2026 është shndërrimi i administratës në një punëdhënës konkurrues, përmes rishikimit të modelit të rekrutimit dhe vlerësimit, duke forcuar meritokracinë dhe transparencën. Në këtë kuadër priten ndryshime në ligjin për shërbimin civil dhe në ligjin për administratën shtetërore, të cilat do të paraqiten së shpejti në Kuvend. Gjithashtu do të lançohet një portal i ri i punësimit në administratë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, që do të publikojë thirrjet për pozicionet vakante në administratën publike, qofshin ato në shërbim civil apo jo, përfshirë edhe të gjitha shoqëritë aksionere me pronësi shtetërore, si dhe të përdorë inteligjencën artificiale për përputhjen e kandidatëve me pozicionet vakante.

Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit do të përfundojë vlerësimi i plotë i kapaciteteve institucionale për përballimin e procesit të negociatave me Bashkimi Evropian, me fokus identifikimin e boshllëqeve të ekspertizës dhe optimizimin e burimeve ekzistuese. Qëllimi, sipas Pirdenit, është kalimi nga një administratë që negocion në një administratë që përgatitet të zbatojë legjislacionin e BE-së.

Në fushën e integritetit dhe luftës kundër korrupsionit, ministrja theksoi se prioritet absolut për 2026 është parandalimi sistemik në sektorët më vulnerabël, si pronat, shëndetësia, tatimet dhe doganat, arsimi, si dhe prokurimet publike. Pas përmbylljes me sukses të vlerësimit nga GRECO dhe finalizimit të paketës antikorrupsion, fokusi zhvendoset drejt reduktimit të mundësisë së korrupsionit në praktikë përmes forcimit të sistemeve.

Në këtë kuadër është nisur një vlerësim i thelluar i riskut të korrupsionit në sektorin e kadastrës, me monitorim të vazhdueshëm të masave nga ASHK, si dhe një analizë e riskut në sektorin e shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Bazelit për Qeverisje.

Rritja e transparencës publike mbetet në fokus përmes konsolidimit të platformës “Transparent Albania” si porta unike e transparencës dhe forcimit të sistemit të gjurmimit të informacionit në bashkëpunim me AKSHI-n, duke mundësuar edhe vlerësimin e cilësisë së informacionit nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Një tjetër prioritet është investimi në edukimin për integritetin dhe ligjshmërinë, i cili është përfshirë në kurrikulën arsimore për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, dhe do të vijojë gjatë vitit.

Sipas ministres, objektivi përfundimtar mbetet ndërtimi i një administrate moderne dhe profesionale, e aftë për të përballuar sfidat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.