Në Gjykatën e Posaçme, këtë të martë po zhvillohet seanca për dosjen “Plumbi i Artë”, ku po dëshmon Henrik Hoxhaj, i cili fillimisht kishte statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por që më pas iu hoq nga SPAK.
Gjatë dëshmisë së tij, Hoxhaj tregoi se është njohur me Nuredin Dumanin në vitin 2020.
“Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur në ditëlindjen e Festim Qolit në vitin 2020. Aty u njohëm duke ngrënë e duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat e telefonit dhe disa muaj më vonë u takuam sërish. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar,” – deklaroi ai.
Hoxhaj u shpreh se komunikimet mes tyre mund të kenë qenë përmes telefonave të enkriptuar.
“Nuk e mbaj mend saktë, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar,” – tha ai.
Sipas dëshmisë, bisedat me Dumanin kanë qenë për vrasje me pagesë.
“Kemi biseduar për disa vrasje. Ai më tha se kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që kishte disa punë për t’u bërë dhe më pyeti nëse isha i interesuar. Unë i thashë po.”
Hoxhaj deklaroi se Dumani i kishte folur për dy vrasje që do të kryheshin në Durrës.
“Më tha për dy vrasje që do bëheshin në Durrës. Në fillim i paraqiti si porosi të Krymit, pastaj i quajti si problematika të tijat. Më tha: a je dakord? I thashë po.”
Në këtë takim, sipas tij, është diskutuar edhe vrasja e Dorian Shkozës.
“Diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Mjetet dhe armët i siguroi Nuredini. Shofer ishte Elio Bitri, nga Elbasani.”
Ngjarja ka ndodhur gjatë pandemisë.
“Ishte pak pas takimit, në kohë pandemie. Nuk kishim leje, por lëviznim sipas rregullave, me rrip sigurimi dhe duke respektuar qarkullimin.”
Duke përshkruar ditën e ngjarjes, Hoxhaj deklaroi:
“Ditën e ngjarjes shkova në Durrës. U takuam te shtëpia e Nuredinit dhe u nisëm me një makinë të zezë. Elio ishte në timon, unë isha mbrapa shoferit. Kisha dy armë, Elio kishte një.”
Ai tha se fillimisht objektivat nuk ishin në vend.
“Bëmë një xhiro te servisi. Kur kaluam herën e parë nuk ishin. Kur u kthyem, ishin aty. Elio më tha: ‘Ja ku janë’. Ishin tre persona në trotuar.”
Hoxhaj rrëfeu momentin e atentatit:
“Qëllova nga brenda makinës. Një armë mu bllokua dhe përdora tjetrën. Njëri ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. I thashë: a ti je Doriani? Më tha jo. Pyeta Elion: a ky është? Më tha po, dhe e godita.”
Sipas tij, edhe Elio Bitri ka qëlluar.
“Një e goditi edhe Elio. Ai kishte një pistoletë me mulli.”
Pas ngjarjes, Hoxhaj tha se u larguan menjëherë.
“Pas vrasjes hipa në makinë. U thashë të më linin te Plepat, ku kisha lënë një makinë tjetër. Unë ika me duar në xhepa, ndërsa makina tjetër u dogj te Bishti i Zhurit.”
Ai deklaroi se Nuredin Dumani e ka ndjekur nga pas dhe ka parë gjithçka.
“Nuredini ishte pas nesh dhe e pa ngjarjen. Më tha: ‘O kusho, doli shumë mirë’.”
Sa i përket pagesës, Hoxhaj tha:
“Pagesën e mora. 70 mijë eurot u ndanë mes meje dhe Elios. Unë mora 35 mijë euro. Nuk e di sa i dha Elios.”
Në përfundim të dëshmisë, ai deklaroi se pas vrasjes ka jetuar në Tiranë dhe nuk është fshehur.
Seanca vijon.




















