Në diskutimin për projektligjin për shërbimin e jashtëm, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, pyeti ministren e Jashtme Elisa Spiropali për emërimet në institucion.

“Në çdo ambasadë të Republikës së Shqipërisë, kudo, në perëndim a lindje, 90% i ke emërime nepotike. Jam i bindur që e keni vënë re se çfarë cilësie e dobët është. Projektligji që ju sillni këtu, çfarë do të bëjë me nepotizmin në Ministrinë e Jashtme?”, tha Kapri.

Spiropali iu adresua ecurisë së përgjithshme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare: “Shqipëria sot kontribuon në tryezat e vendimeve”, tha Spiropali.

Megjithatë, ministrja pranoi se ka ende problematika duke u shprehur se mbart ende reflekset e së shkuarës, ndërsa diplomati shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm për peshën e tij në një mision.

“Ministria e Jashtme ka diplomatë të shkëlqyer. Ajo mbart ende reflekset e së shkuarës, nepotizmi, inercie, të një administrate që shpesh ka qenë më shumë proceduriale sesa strategjike. Projektligji është hap politik dhe institucional për ta përshtatur shërbimin e jashtëm me kohën që jetojmë. Diplomati shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm dhe profesionist për peshën e tij”, tha ministrja.

Spiropali nënvizoi se projektligji është i nevojshëm për të përmirësuar shërbimin e jashtme dhe kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë.

“Kemi nevojë për një shërbim të jashtëm që është në lartësinë e ambicieve tona kombëtare. Ky projektligj është instrument për këtë fazë të re. Sigurisht nuk mund të pretendohet që i zgjidh të gjitha, por synohet të bëjë një reformë të thellë në shërbimin e jashtëm. Ai krijon Akademinë Diplomatike, vendos standarde më të larta diplomatike, forcon përfaqësimin ekonomik dhe kulturor, hap dyert për profesionistë dhe statusin e shërbimit diplomatik e familjeve të tyre. Mbi të gjitha, synon të ndryshojë kulturën e përfaqësimit të Shqipërisë në botë”, përmbylli Spiropali.