Nga TemA
Sali Berisha ka vijuar edhe ditën e sotme me imagjinatën e tij artistike të snajperëve që kanë goditur protestuesit e tij më 10 shkurt.
Në fakt, nuk është hera e parë, sepse e tha për herë të parë në natën e protestës, teksa tregonte me gisht nga një qytetar që ishte si kokrra e mollës dhe Berisha thoshte se është goditur me snajperë. E vijoi ditë më vonë, duke bërë lëmsh një mori emrash, duke filluar nga Ilir Shtufi e Tufi e për të dalë te Ilir Tushi (emri që kërkonte) dhe vijoi sot, duke dashur ta qartësojë të plotë panoramën e ‘krimit’ e duke shtuar në skenën e fantazisë Dem Dollapin dhe Luan Lleshin.
“Të tre u goditën në kokë, të tre mund të mos ishin sot”, tha, mes të tjerash, Berisha.
Po përse vazhdon ta ndjekë fantazma e snajperit që godet nga kryeministria mbi protestuesit e opozitës Sali Berishën?
Kujtojmë se më 21 janar 2011, në kulmin e tensionit dhe të përlpasjes, Berisha do të kërcënonte Edi Ramën se nëse do t’i afrohej Kryeministrisë dhe do të prekej qoftë edhe “një gjethe”, do ta qëllonte me pesë snajperë.
Me sa dukej, 5 snajperët e dikurshëm i ka shndërruar në 3 viktima të sotëm.
Aq i duhen për kauzën e tij dhe për të barazuar krimin me kundërshtarin politikë.
Duket si një shfaqje shekspiriane, ku fantazmat ndjekin personazhet që kanë kryer krime dhe nuk i lënë të qetë, duke iu shfaqur në forma të ndryshme.
Në mos në shenja gjaku si te Makbethi, në trajtë ngjarje të përsëritura, duke iu dukur se po ndodh ajo që ka realizuar vetë dikur.




















