Presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar një ftesë nga homologu i tij kinez, Xi Jinping për të vizituar Kinën në gjysmën e parë të këtij viti. Kështu njoftoi Kremlini të mërkurën, pasi të dy udhëheqësit zhvilluan një videokonferencë.

Yuri Ushakov, një këshilltar i politikës së jashtme të Kremlinit, u tha gazetarëve se Rusia dhe Kina veprojnë së bashku dhe kanë qëndrime të ngjashme për shumicën e çështjeve.

Gjatë videokonferencës midis dy udhëheqësve, Putin vlerësoi lidhjet e ngushta të dy vendeve në energji dhe fusha të tjera.

“Lidhjet tona janë një faktor stabilizues gjatë trazirave aktuale globale”, theksoi Putin gjatë videokonferencës, një pjesë e së cilës u transmetua në televizionin shtetëror rus.

Nga ana e tij, Xi tha në një deklaratë drejtuar Putinit se të dy vendet duhet të hartojnë një plan të madh për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.