Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ashpër pas sulmeve të raportuara nga protestues ndaj qendrës artistike ARTexplora në ambientet e Vilës 31 në Tiranë.
Përmes një deklarate publike, Gonxhja e cilësoi ngjarjen si “absolutisht revoltuese”, duke akuzuar opozitën për nxitje dhune dhe për një akt që, sipas tij, rrezikoi jetën e artistëve dhe stafit të pranishëm në godinë.
“Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari. Të sulmosh me egërsi një qendër ndërkombëtare arti si ArtExplora, një nga fondacionet më prestigjioze në botë për mbështetjen e talentit dhe rezidencave artistike, është një akt terrorizmi që tenton të na kthejë pas në epokat më të errëta të hirit dhe shkatërrimit”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, në ambientet e Vilës 31 ndodheshin 12 artistë, shumica të huaj, përfshirë edhe të rinj që vijnë nga vende të përfshira në konflikte, pjesë e një programi me natyrë sociale dhe solidare. Ai theksoi se për fat nuk ka pasur pasoja në njerëz dhe se familjet e artistëve janë informuar.
“Në ato mure sot nuk ka më izolim ideologjik, por studio ku artistë elitarë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të jetojnë e të krijojnë. Kjo vilë, e shndërruar në një tempull të mendimit të lirë, është dëshmia e triumfit tonë mbi diktaturën”, u shpreh Gonxhja, duke e cilësuar dhunën si “sulm ndaj qytetërimit tonë”.
Ai e konsideroi ngjarjen një “agresion të hapur ndaj imazhit të ri të Shqipërisë dhe miqve ndërkombëtarë”, ndërsa shtoi se “mund të hidhni molotov, por nuk mund të digjni frymën e lirisë”.
Në fund të reagimit, ministri theksoi se institucionet do të ndjekin me vëmendje hetimet dhe do të presin reagimin e organeve të drejtësisë lidhur me ngjarjen.




















